E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gati miratimi i nenit për llogaritjen e pensionit

15/12/2008  Drafti mund të kalojë për miratim në mbledhjen e fundit të Qeverisë për këtë vit

Drafti për llogaritjen e pensioneve për ushtarakët e liruar në rezervë mund të marrë miratimin në mbledhjen e fundit që Qeveria do të zhvillojë për këtë vit. Burime bëjnë të ditur, se tashmë janë rishikuar të gjitha ndryshimet e propozuara nga Ministria e Mbrojtjes dhe ajo e Financave për nenet përkatëse, mbi të cilat do të bëhet dhe llogaritja e re e masës së pensionit që do të përfitojë çdo ushtarak i liruar në rezervë. Po të njëjtat burime tregojnë se prej kohësh është depozituar në Qeveri dokumenti me nenet e ndryshuara, të cilat do të marrin miratimin përfundimtar në mbledhjen e fundit të këtij viti, ose në muajin e parë të vitit pasardhës. Përkundrejt këtyre zërave, pak kohë më parë shoqata e ushtarakëve ka deklaruar se nëse Qeveria nuk do të marrë një vendim të shpejtë deri në mbyllje të këtij viti atëherë do të shpërthejnë protesta masive në të gjithë vendin.

Llogaritja

Konkretisht është përcaktuar se masa e pensionit do të llogaritet në bazë të periudhës së lirimit nga detyra si dhe kontributeve të derdhura për vitet shtesë. Kështu masa e përfitimit të pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi do të jetë rreth 50 për qind e pagës referuese, ndërsa për çdo vit tjetër shtesë do të ketë rrite të tjera me nga 2 për qind. Kështu është vendosur që për të gjitha vitet e shërbimit, për të cilat janë derdhur kontributet shtesë, konkretisht për ato të pas 2004-s, do të ketë rritje të masës së përfitimit. Por këto shtesa do të pësojnë rritje deri në një kufi të caktuar, i cili nuk do të jetë më shumë 50 për qind e pensionit maksimal që përfitojnë.

Përfituesit

Sipas listave të zbardhura nga përfaqësia e shoqatave, pohohet se janë rreth 7800 ushtarakë të liruar nga detyra, të cilët presin llogaritjen e pensioneve në bazë të ndryshimeve të hartuara. Njëkohësisht në variantin e ri të hartuar nga ekspertët e mbrojtjes dhe ata të financave, janë parashikuar dhe ndëshkime e penalizime për të gjitha rastet e shpërndarjes abuzive të pensioneve. Sipas kësaj skeme, pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi ndërpritet kur ushtaraku përfitues rikthehet në shërbimin aktiv. Në rast kur përfituesi i pensionit të parakohshëm punësohet në vende të tjera pune, masa e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi bëhet sa një pension bazë. Fatura financiare e përcaktuar sipas variantit të parë ishte llogaritur në masën e 1 miliard e 47milin lekëve për llogari të pensioneve që do të shkonte për këtë shtresë të ndarë sipas kategorive përkatës.

Neni përfitues

Masa e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, kur plotësohen kushtet e caktuara është 50 për qind e pagës referuese. Për çdo vit tjetër të vjetërsisë në shërbim, masa e pensionit shtohet me 2 për qind të pagës referuese mesatare.

Masa e pensionit të parakohshëm e llogaritur, sipas pikës më sipër, në momentin që lind e drejta për përfitimin, nuk mund të jetë më e madhe se dyfishi i pensionit bazë, përcaktuar me VKM për ushtarakët që nuk kanë paguar kontribute shtesë.

Masa e pensionit të parakohshëm e llogaritur, sipas pikës më sipër, nuk mund të jetë më e madhe se dyfishi i pensionit bazë të përcaktuar me VKM shtuar me 2 për qind të pensionit maksimal për çdo vit që ushtaraku ka paguar kontribute shtesë, por jo më shumë se 50 për qind e pensionit maksimal.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›