E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për një mur “sakrifikohet” 29-vjeçari, u vra me çifte

15/12/2008  Policia arreston autorët, atë e bir, nga Sauku

TIRANË- Atë e bir masakrojnë për vdekje një 29-vjeçar sepse ky i fundit po ndërtonte një mur në pronën që e pretendonin të dyja palët. Krimi ndodhi dje në orën 10.50 në kthesën e Sanatoriumit pranë shkollës “Eurolingua” dhe në vendngjarje shkuan fillimisht shërbimet e komisariatit të policisë nr. 1 Tiranë, të cilat në fakt u informuan se kishte ndodhur një plagosje me armë zjarri. Ata konstatuan se viktima ishte 29-vjeçari Xhevdet Qefalia. I plagosuri në bark u dërgua menjëherë në Spitalin Ushtarak Tiranë nga forcat e policisë, por atje, pas shumë plagëve të marra nuk mundi të jetonte duke gjetur vdekjen.

Pas hetimeve të para, policia tha se dyshohet që autorë të kësaj vrasjeje janë 45-vjeçari Kujtim Bakalli dhe djali i tij 18-vjeçari Endrit Bakalli. Pas ndërhyrjes së shërbimeve të policisë së komisariatit të policisë nr. 1 Tiranë, u arrit kapja e tyre, si dhe sekuestrimi në cilësinë e provës materiale i armës së krimit e llojit çifte.

Shkaku

Burimet zyrtare të policisë thanë se dyshohet se motivi kryesor i kësaj ngjarjeje është për motive pronësie, ku të dy familjet në konflikt pretendojnë se janë pronar të një pjese toke, e ndodhur në afërsi të shkollës “Eurolingua” në Sauk. Dëshmitarë okularë në vendin e ngjarjes thanë se konflikti mes tyre dhe viktimës erdhi pasi dy palët grindeshin prej kohësh për një copë tokë.

Muri, pikënisja e kontradiktave

Dëshmitarët treguan se një mur ishte ngritur në pjesën që pretendohej nga i ndjeri Qefalia, por që pretendohej gjithashtu dhe nga i dyshuari Kujtim Bakalli. Në fakt dy familjet Qefalia dhe Bakalli nuk jetojnë në zonën ku ndodhi krimi për motive pronësie, por aty, po bëheshin përpjekje për të bërë rrethimin e pronës së gjithsecilit. Pikërisht ngritja e murit nxiti sherrin pasi i ndjeri nuk ishte dakord me këtë mur, duke i tërhequr vëmendjen të dyshuarit të krimit, edhe dy ditë më parë se murin po e ngrinte gabimisht në pjesën e tokës që i takonte atij. Këto pretendime janë ngritur edhe sot paradite, ku i dyshuari Kujtim Bakalli që ndiqej nga i biri adoleshent, kanë hapur zjarr një herë në ajër me çifte dhe menjëherë më pas e kanë drejtuar armën tek viktima i tyre.

Plagosja për një copë tokë

Një muaj më parë 21-vjeçari, Aleksandër Harizi, nga fshati Baldushk i Tiranës, për motive pronësie tentoi të vriste me sende të forta të shtetasit Petrit dhe Shpëtim Tresa, ngjarje e ndodhur pas daljes nga një seancë gjyqësore. Dy vëllezërit Tresa kanë pësuar plagë të rëndë në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit dhe pas sherrit me të riun Harizi janë transportuan me urgjencë në Spitalin Ushtarak, ku mësohet se Shpëtim Tresa ndodhet në gjendje të rëndë. Pas këtij sherri në vendin e ngjarjes mbërritën forcat e policisë së komisariatit nr. 2 si dhe specialistët e Seksionit kundër Krimit ndaj Jetës e Shëndetit për të zbuluar motivet dhe autorët e ngjarjes. Menjëherë policia mori në pyetje dëshmitarët dhe të afërm të dy vëllezërve të plagosur për të zbuluar shkaqet e ngjarjes.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›