E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universitetet shqipfolëse, literaturë të përbashkët për studentët

Një nismë ambicioze është vendosur dy ditë më parë në mbledhjen e dytë të Rrjetit të Universiteteve Shqipfolëse, të mbajtur në Sarandë. Librat që përdoren masivisht në të gjitha universitetet shqipfolëse, do të përkthehen dhe botohen në shqip, nën siglën dhe mbështetjen e Rrjetit, duke mundësuar përafrimin e hapësirës universitare shqiptare. Propozimi i presidentit të rrjetit, prof. dr. Dhori Kule, u miratua me unanimitet nga rektorët e të gjitha universiteteve shqipfolëse të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë, duke zgjeruar mundësitë e studentëve shqiptarë.

“Përkthimi i teksteve akademike në mënyrë të përbashkët nga Rrjeti i Universiteteve Shqipfolëse do të mundësojë integrimin e mëtejshëm të hapësirës tonë akademike. Integrimi dhe globalizimi, sidomos në fushën e arsimit, kanë të domosdoshme arsimimin cilësor të universiteteve”, – deklaroi prof. Kule, duke theksuar se vetëm ata autorë, të cilët cilësohen si thelbësorë në lëmin e tyre, e që si pasojë përdoren gjerësisht në të gjitha universitetet, do të kalojnë në këtë procedurë.

Për këtë qëllim, universitetet private e publike nga e gjithë hapësira shqipfolëse, e mbledhur në ndërtesën e filialit të Universitetit të Tiranës, në Sarandë, miratuan njëzëri ngritjen e komisionit, të përbërë nga zëvendësrektorët shkencorë, që do të mundësojë etapat e mëtejshme të kësaj sipërmarrjeje. Këto tekste nuk do të jenë të detyrueshme, duke ruajtur lirinë akademike, por sipas pjesëmarrjeve, tekstet që do të përzgjidhen do të jenë vetëm ata libra që janë “të pashmangshëm” në lëvrimin në një fushë të caktuar.

Gjithashtu, gjatë mbledhjes së RRUSH-së u kërkua edhe bashkëpunimi i mëtejshëm ndërmjet qeverisjes dhe botës akademike. Rektori Kule theksoi ndihmën që Bashkia e Sarandës dhe Bashkia e Kukësit kanë dhënë për çeljen e filialeve të UT-së në këto qytete, ndërkohë që ka vendosur theksin edhe në mbështetjen e universiteteve rajonale në profilin e tyre. “Ne jemi të gjithë aktorë dhe autorë të faktit se universitetet nuk janë më elitare, por masive, – iu drejtua rektorëve presidenti i RRUSH-së, Kule, – por para së gjithash, duhen ndihmuar ato universitete që përgatisin arsimtarët e ardhshëm, pa të cilët nuk mund të kryhet puna jonë.”

“Vendimet e sotshme janë një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të situatës së tanishme”, - deklaroi drejtori i Komunikimit në UT, z. Ervin Demo.

Sakaq, rektori i Universitetit të Korçës, Gjergji Mero, kërkoi fillimin e procedurave për rishikimin e ligjit të arsimit të lartë dhe për krijimin e një strategjie alternative të propozuar nga bota akademike për të, kërkesë e cila u vendos të shqyrtohet në Konferencën e Rektorëve, organ që përfaqëson universitetet e Shqipërisë, gjatë mbledhjes së tij të radhës. Kërkesa për ndryshimin e ligjit është mbështetur edhe nga përfaqësuesit e universiteteve private. “Në ligjin e tanishëm është krijuar një ndërthurje artificiale mes universiteteve publike dhe private”, – deklaroi presidenti i Universitetit UFO, z. Astrit Veliaj.

Rrjeti i Universiteteve Shqipfolëse është një institucion i krijuar rishtazi, me nismën e rektorit të Universitetit të Tiranës, prof. dr. Dhori Kule. Në të bëjnë pjesë të gjitha universitetet publike të Shqipërisë, universitetet private që kanë aplikuar, Universiteti i Prishtinës, dhe dy universitetet shqipfolëse të Maqedonisë: Universiteti Shtetëror i Tetovës dhe Universiteti i Evropës Juglindore. Ai konceptohet si një rrjet bashkëpunimi i botës universitare të hapësirave shqipfolëse, me qëllim thellimin e bashkëpunimit dhe krijimin e një tregu të përbashkët arsimor universitar.

Rrjeti u krijua në muajin qershor në Kukës, ndërkohë që takimi në Sarandë ishte mbledhja e dytë e tij. Në këtë mbledhje morën pjesë të gjithë anëtarët, drejtues të pushtetit vendor të Sarandës dhe përfaqësues të tjerë të botës akademike. Në fund të mbledhjes u vendos mbajtja e një simpoziumi mbi arsimin universitar në Tiranë, më 7 mars, nën organizimin e Universitetit UFO. Ndërkohë që aderoi edhe Universiteti Evropian i Tiranës, duke e çuar në tre numrin e universiteteve jopublike anëtare në këtë rrjet.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›