Gati ndëshkimet

TIRANË - Avokatët që bëhen pengesë serioze për vijimësinë e procesit gjyqësor me mungesat e tyre të vazhdueshme, do të ndëshkohen rreptësisht. Paralajmërimi vjen nga ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, i cili gjatë një prononcimi tha se mungesa e avokatëve në seanca është kthyer në një fenomen vërtet shqetësues, i cili duhet parandaluar. Për zgjidhjen e këtij problemi, që jo rrallëherë ka shtyrë pafundësisht procese të tëra gjyqësore, ministri Alibeaj tha se po bashkëpunohet me Dhomën Kombëtare të Avokatisë, për një projekt ku do të jenë sanksionuar të gjitha masat ndëshkuese ndaj avokatëve, që në fakt janë drejtuesit e vërtetë të seancave gjyqësore. Të gjendur të pafuqishëm ndaj këtij fenomeni, kryesisht Gjykata e Tiranës dhe ajo e Krimeve të Rënda në mënyrë të vazhdueshme i kanë kërkuar ministrit të Drejtësisë dhe Dhomës së Avokatisë, që të marrin masa për frenimin dhe disiplinimin e avokatëve. Pavarësisht këtyre kërkesave, që sipas Alibeajt kanë qenë të shumta në tavolinën e zyrës së tij, të gjithë këta avokatë ia kanë hedhur fare lehtë deri tani. Por sanksionet dhe ndëshkimet për ta pritet të fillojnë menjëherë pas formësimit të mekanizmit që do të disiplinojë këtë fenomen. Ministri i Drejtësisë nuk jep detaje rreth mënyrës së funksionimit të kësaj marrëveshjeje dhe masat që do të merren ndaj avokatëve, duke thënë se janë efektet financiare ato që pritet të disiplinojnë avokatët mbrojtës. Burime pranë Dhomës së Avokatisë pranojnë se kanë një projekt me Ministrinë e Drejtësisë për ndëshkimin e avokatëve që pengojnë zhvillimin e procesit gjyqësor. Sipas tyre, masat ndëshkuese ndaj kësaj kategorie mbrojtësish parashikohet të jenë financiare, duke aplikuar gjoba, të cilat në rast përsëritjeje do të jenë tepër të rënda. Por nga ana tjetër, në fazë diskutimi janë edhe masa të tjetra drastike ndaj avokatëve, që nuk u binden gjobave. “Për këtë kategori avokatësh mund të aplikohen edhe ndëshkime që shkojnë deri në heqjen e licencës”, - thanë burime nga Dhoma e Avokatisë. Ky fenomen është komentuar edhe nga kryetari i Gjykatës për Krime të Rënda, Dritan Hallunaj, i cili ka deklaruar se zvarritja e proceseve gjyqësore si pasojë e mungesës së avokatëve, është një çështje vërtet shqetësuese, sidomos në institucionin e tij, ku janë në gjykim grupe apo organizata kriminale me shumë të pandehur. Hallunaj tha se masat e vetme që trupi gjykues mund të ndërmarrë ndaj këtij fenomeni, është vënia në dijeni e Dhomës Kombëtare të Avokatisë, ose zëvendësimi i avokatit gjatë procesit me një përfaqësues mbrojtës të caktuar kryesisht nga gjykata. Por në të dy rastet, gjykata mbetet sërish e pafuqishme për frenimin e këtij fenomeni, i cili i bën avokatët zotë të vërtetë të procesit gjyqësor.