Kosova dhe Gjeorgjia krejt ndryshe

Sekretarja amerikane e Shtetit, Condoleezza Rice, përsëriti dje në Lisbonë qëndrimin dhe pikëpamjet e Uashingtonit se Kosova dhe Gjeorgjia janë dy raste të ndryshme dhe që nuk kanë kurrfarë ngjashmërie për t’u përdorur. Sekretarja Rice i bëri deklaratat pas takimit me ministrin e Jashtëm portugez, Luis Amado. Sekretarja Rice qëndroi befas në Lisbonë përpara se të udhëtonte drejt Tripolit, në vizitën historike të marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me Libinë. Radioja “Europa e Lirë” me qendër në Pragë të Republikës Çeke e citoi Sekretaren Rice të thoshte se "Kosova ishte situatë unike" dhe duke theksuar se "pavarësia erdhi pas një procesi të zgjeruar". Rice shtoi gjithashtu se Kosova dhe Gjeorgjia janë dy situata të ndryshme. "Para së gjithash, Kosova ishte situatë unike, erdhi pas shkatërrimit të Jugosllavisë. Kosova u bë e pavarur pas një procesi të zgjeruar”-tha Sekretarja amerikane e Shtetit. Sipas të njejtës radio, duke iu referuar krahasimeve ndërmjet Kosovës dhe Gjeorgjisë, Rice tha se "nuk duhet të lejojmë që ky argument të bëhet". Rice doli në konferencë për shtyp pas takimit me Amadon. Ministri i Jashtëm portugez, Amado ta gjithashtu se në disa analiza është tërhequr paralele ndërmjet Kosovës e Gjeorgjisë, por, sipas tij, "kemi të bëjmë me situata të ndryshme". Sekretarja Rice vazhdoi më tej të thotë se Rusia "po e thellon izolimin e saj", me sjelljet e saj ndaj Gjeorgjisë. "Jam krejtësisht e sigurt se Rusia do ta kuptojë se po e thellon izolimin e saj dhe se nuk ka shtegdalje tjetër pos t'i respektojë përkushtimet e saj dhe të fillojë ta ndryshojë sjelljen e saj", tha Condoleezza Rice. Mbështetja për Kosovën iu përsërit një ditë më parë kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi në Uashington nga yëvendësndihmëssekretari i shtetit, Stuart Jones. Ai premtoi se se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të mbështesin në vazhdimësi Kosovën dhe institucionet e saj drejt zhvillimit të mëtutjeshëm.
Kosova shpalli pavarësinë nga pushtimi kolonial serb në 17 Shkurt 2008. Kosova është një krahinë etnike e Shqipërisë, e cila iu da Serbisë nën ndikimin e Rusisë në Konferencën e Londrës në vitin 1913. Përfaqësuesit e Kosovës e kanë shprehur vullnetin e tyre si pjesë e Shqipërisë pasi morën pjesë dhe mikpritën Lidhjen Shqiptare të Prizrenit në 1878, në Kuvendin e Vlorës për shpalljen e pavarësinë në 1912 si dhe në disa konferenca të tjera, përfshi Bujanin pranë fundit të Luftës së Dytë Botërore.