Gati ndihma për Realin për blerjen e K. Ronaldos
Banka e Santanderit (Banco Santander), institucion i njohur në të gjithë botën, do të ketë një rol të madh në tentativat e ardhshme të Realit të Madridit, për blerjen e Kristiano Ronaldos. Gjatë merkatos së verës, spanjollët do të rifillojnë sulmin për yllin portugez, por tani, "telenovelës" i janë shtuar të tjerë elementë intrigues. Sipas raportimeve nga Gadishulli Iberik, "Banco Santander", e cila ka statusin e bankës më të madhe në zonën evropiane dhe është sponsorja më e madhe e MekLaren Mercedes në Formula 1 edhe e Kupës Libertadores, ka aprovuar aplikimin e klubit "merengues" për huazimin e një shifre shumë të lartë parash. Sipas deklaratave të Hoze Ramon de la Morena, në programin "El Larguero", të stacionit radiofonik "Cadena SER", Realit do t‘i jepet një kredi me vlerë 70 milionë euro, në mënyrë që ata të tentojnë blerjen e Kristiano Ronaldos nga Mançester Junajted. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se ky është çmimi për fituesin e çmimit të FIFA-s, "Lojtari i Vitit 2008", por ishte maksimumi i kredisë që mund t‘i akordohej madrilenëve. Pjesa tjetër e parave duhet të plotësohet nga arkat e klubit, për të plotësuar ofertën me vlerë të përgjithshme 100 milionë euro, me të cilën mund të tentohet transferimi i Ronaldos në "Santiago Bernabeu". Sipas së përditshmes sportive "AS" nëse këtë herë mesfushori do të kërkojë largimin nga "Djajtë e Kuq", edhe Sër Aleks Ferguson do të detyrohet të gjejë akordin me Realin. Sipas spekulimeve, gjatë verës së kaluar, Fergi firmosi një marrëveshje të shkruar, ku do të lejonte shitjen e 24-vjeçarit në qershor 2009.