Kaka, tentohet rikuperimi rekord
Ndoshta është vetëm një dëshirë, por te Milani besojnë se Kaka mund të zbresë në fushë për derbin me Interin. Sipas Zhan Pierr Merseman, përgjegjësit të "MilanLab", "Kaka ndihet më mirë, reagon në mënyrë të shkëlqyer ndaj kurave dhe nuk ka më dhembje kur ecën. Sot (dje) braziliani ka tentuar edhe vrapimet e lehta, ndërsa në ditët në vazhdim do të vlerësohen shanset reale që ai të jetë në derbin e fundjavës, ndoshta edhe në stolin e rezervave". Gjithsesi, disa prej lojtarëve kuqezinj që e kanë parë duke u stërvitur me biçikletë janë shprehur skeptikë, pasi vunë re se Kaka kishte ende dhembje. Situata do të monitorohet ditë pas dite, sepse Milani duhet të tregojë kujdes që të mos të prishë marrëdhëniet me Federatën Braziliane (Kaka mungoi në miqësoren e së martës kundër Italisë, të fituar 2-0 nga skuadra e Dungës), por edhe pasi lojtari nuk duhet sforcuar në këto momente delikate. Aktivizimi i Kakasë në derbi varet edhe nga gjendja e terrenit në "San Siro": nëse fusha është e keqe, ai nuk do të luajë. Milani ka tetë pikë më pak se zikaltërit në klasifikim.