E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gus Hidink te Çelsi deri në fund të sezonit

Çelsi ka deklaruar zyrtarisht se trajneri i Kombëtares ruse, Gus Hidink, do të marrë postin e mbetur vakant pas largimit të Luis Felipe Skolarit. Holandezi, i cili njihet si një prej trajnerëve më të mirë në botë, do të punojë me blutë e Londrës deri në fund të sezonit. Hidink do të mbulojë të dyja pozicionet njëkohësisht, ashtu siç ka bërë më parë kur punonte me PSV Eind‘hoven dhe përfaqësuesen e Australisë. Momentalisht, Çelsi ka shtatë pikë më pak se Mançester Junajted kryesues (edhe pse ka zhvilluar një ndeshje më shumë), ndërkohë që për "strategun" 62-vjeçar kjo do të jetë aventura e parë në Premiership. Ai do të përfitojë afro 2.8 milionë euro rrogë nga detyra e re: 1.6 milionë euro neto dhe 1.2 milionë euro që llogariten në formë shpërblimi për fitoren e trofeve. Në një deklaratë lexohej: "Jemi të lumtur të njoftojmë se Gus Hidink do të drejtojë përkohësisht skuadrën. Detyra e tij do të përfundojë në fund të sezonit. Trajneri do të prezantohet me skuadrën në fund të javës. Gjithashtu, Çelsi dëshiron të falënderojë Federatën Ruse të Futbollit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin që na ofruan". Hidink ndodhet në Turqi, ku po zhvillon një grumbullim me Kombëtaren dhe pritet që ai të udhëtojë sot drejt Britanisë së Madhe, ndërkohë që të premten (nesër) do të njihet me detyrën e re. Pas emërimit të pasardhësit të Skolarit, i cili do të përfitojë afro 8 milionë euro nga prishja e kontratës, Abramoviç po punon për trajnerin e sezonit të ardhshëm. Alternativa e preferuar e manjatit rus mbetet trajneri i Milanit, Karlo Ançeloti.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›