E Diel, 1 Nëntor 2026

Gati pagesa për agjentët që do të kthejnë paratë nga jashtë

02/09/2010 Kontroll për shumat e transferuara nga firmat piramidale në bankat e huaja

Agjentët dhe specialistët që do të sjellin paratë e firmave piramidale të transferuara jashtë shtetit do të përfitojnë deri në 15 për qind të vlerës së arkëtuar në favor të këtyre shoqërive. Pas botimit të vendimit të qeverisë në Fletoren Zyrtare ku është përcaktuar tarifa për pagesën e këshilltarëve profesionistë dhe agjentëve të kontraktuar pritet të nisë puna për kontraktimin e këtyre personave. Ata do të kenë të drejtën që në emër të shtetit shqiptar të kërkojnë në shtetet e huaja shumat e parave të transferuara në banka nga shoqëritë huamarrëse.

Vendimi

Shumë prej pasurive të ish-bosëve të firmave piramidale kanë mbetur në bankat e huaja dhe prej vitesh shteti nuk mund të ndërhyjë për t’i rikthyer në duart e përfituesve të ligjshëm. Për këtë arsye qeveria ndërmori së fundmi këtë hap, për t’ua lënë këtë detyrë agjentëve me pagesë që do të punojnë për të rikthyer shumat në Shqipëri. Në vendim thuhet se “Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të ligjit nr. 8215, datë 9.05.1997, “Për kontrollin financiar të personave juridikë jobankarë që kanë marrë hua nga publiku i gjerë”, i ndryshuar me propozim të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave vendosi që “Tarifa e pagesës për këshilltarët profesionistë dhe agjentët e kontraktuar nga administratori i shoqërisë huamarrëse, mund të jetë deri në 15 për qind të vlerës së arkëtuar në favor të këtyre shoqërive nga riatdhesimi i vlerave monetare të depozituara në banka të personave të shpallur debitorë dhe aseteve të shoqërive huamarrëse në administrim të shtetasve shqiptarë dhe të huaj, që ndodhen brenda ose jashtë shtetit, të përfshirë në veprimtarinë e firmave piramidale”.

Kontraktimi

Vendimi i qeverisë do të zbatohet nga Ministria e Financave dhe Grupi Mbikëqyrës i Shoqërive Huamarrëse të cilët janë në administrim zbatimin e tij. Në këtë mënyrë do të jetë administratori i shoqërisë huamarrëse ai që do të vendosë se si do të bëhet pagesa e këshilltarëve profesionistë apo agjentëve të kontraktuar. Vendimi është tashmë zyrtar dhe ka si qëllim rigjetjen e parave nga ana e këtyre agjentëve si dhe rishpërndarjen për kreditorët që kanë humbur paratë në fajde. Hetimet shumëvjeçare për veprimtarinë e ish-kompanive piramidale jashtë shtetit shqiptar kanë konfirmuar se shuma të mëdha parash janë transferuar jashtë vendit, shuma të cilat u përkisnin shtetasve shqiptarë dhe që u grumbulluan prej ish-bosëve të firmave me anë të aktivitetit kriminal të huamarrjes.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›