E Diel, 1 Nëntor 2026

“Vizitë” me Krzysztof Zanussi-n

02/09/2010 Është një nga kineastët më të njohur të “brezit të tretë” të “botës lindore” që mbërrin në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Veror në Durrës si “i ftuar nderi”. Krzysztof Zanussi mbërrin nesër në mëngjes në Durrës dhe më 4 shtator do të nderohet në natën e ndarjes së çmimeve për karrierën e tij. Për publikun do të shfaqet filmi i fundit në karrierën e tij 50-vjeçare, “Revisited” dhe Zanussi do të marrë pjesë në një takim-diskutim me kineastë të rinj e dashamirës të kinemasë ku do të flasë për disa nga veprat e tij.

Në “Revisited”, Zanussi rimerr elementë të punëve të tij mëparshme dhe kjo vepër është një krijim që qëndron ndërmjet dokumentarit dhe fikshënit. Siç duket dhe nga titulli, Zanussi në këtë film “riviziton” karaktere dhe aktorë me të cilët ka bashkëpunuar në një kohë të mëparshme.

Ai merret me personazhin në kohën e “pastajme”, pasi i është dhënë jeta në film. ǒndodh me këtë personazh pasi filmi ka përfunduar? Kjo është pyetja që shtron kineasti, i cili përgjigjen e jep duke marrë personazhin e “Një zemër e dashur”, të cilin “e dërgon” të intervistojë aktorë të mëdhenj polakë, si: Zapasiewicz, Zajlczkowska, Olbrychski, por edhe personazhe të filmave të tij “Jetë familjare”, “Maskimi”, “Konstantja”. Për vetë mënyrën e ndërtimit të filmit dhe trajtesës që bën, “Revisited” konsiderohet një eksperiment filmik, në të cilin më shumë se sa imazheve, Zanussi i jep rëndësi dialogut.

Marek Kudełko, Maja Komorowska, Zbigniew Zapasiewicz, Jan Nowicki, Daniel Olbrychski etj., janë aktorët që interpretojnë.

Krzysztof Zanussi (1939) është një nga regjisorët më të njohur polakë, që renditet për nga “fama” krah regjisorëve të tjerë polakë si Andrzej Wajda, Krzysztof Kieslowski apo Andrzej Munk.

Kinemaja e Krzysztof Zanussi-t “brumohet” në periudhën e tranzicionit pas Luftës së Dytë Botërore.

Filmat e parë i bëri në rrethin e amatorëve të filmit në Universitetin e Varshavës kur studionte fizikë në vitet ‘50. Krijimtaria e tij zë fill më 1966, pasi etydi i tij punë diplome “Vdekja e në provinciali” fitoi disa çmime.

Më 1969, filmi i parë i gjatë, “Struktura prej kristali”, u prit më së miri nga kritika dhe u vlerësua me çmime në disa festivale në Poloni, Argjentinë, Spanjë dhe Panama. Që në titujt e filmave të tij vërehet lidhja e vendosur mes kinemasë dhe fizikës. Mjafton të përmenden titujt e filmave: “Ndriçimi” 1973 (Leopardi i Artë në Festivalin e Lokarnos) apo “Konstantja” (1980, Çmimi i Jurisë në Festivalin e Kanës).

Përveç fizikës në Varshavë, Zanussi studioi edhe filozofi në Krakov e më pas hyri në Shkollën e Filmit në Lodz, pranë kineastit Andrzej Munk.

Në filmat e tij, Zanussi trajton çështje intelektuale dhe etike e ai është tepër i dhënë pas të ashtuquajturës “kinema të problemeve morale”.

Përmes personazheve të tij ai ngre pyetje që lidhen me jetën e njeriut dhe “kuptimin” e saj, duke e parë në raport me vdekjen dhe fatin. Një kinema që të shtyn të mendohesh, të reflektosh dhe marrësh përsipër angazhime apo përgjegjësi, që ngre pyetje filozofike dhe shkencore, gjithmonë në një lëmë human. Dhe te të gjitha këto nuk mungon imagjinata.

Një nga kineastët më të njohur të Evropës Lindore të viteve ’70-’80, Zanussi është diskutuar së tepërmi edhe për bashkëpunime me Shërbimet Sekrete në vendin e tij, por kjo nuk është provuar asnjëherë.

Sot, vepra e këtij krijuesi nuk përcjell të njëjtën “forcë” si dikur, por Krzysztof Zanussi padyshim është një kineast i realizuar ndër më të mirët për kohën e tij. Njëkohësisht edhe skenarist i veprave që realizoi mund të përmenden disa vepra që mbajnë firmën e tij në këtë drejtim: “Viti i diellit të fshehtë” (1984, Luani i Artë në Festivalin e Venecias), “Pushteti i djallit” (1985), “Kudo ku të jesh” (1988), “Bisedë e gjatë me një zog” (1990), “Jeta për një jetë” (1991), “Prekja e heshtur” (1992), “Vëllai i Zotit tonë” (1997), “Jeta është një sëmundje fatale seksualisht e transmetueshme” (2000) fitues i disa çmimeve ndërkombëtare, “Shtojca” (2002), “Persona non grata” (2005), “Zemër e dashur” (2008).

Ai është edhe autor i “Kohë për të vdekur”, një libër me kujtime, refleksione, shënime udhëtimi nga takimet me protagonistë të kulturës dhe politikës ndërkombëtare. Prej vitit 1979, Zanussi drejton studion e filmit “TOR”. Në këtë periudhë ai lëvizi dhe punoi shumë në Evropë edhe si regjisor opere, apo pedagog në shkolla filmi.

President i Federatës Evropiane të Shoqatave Kombëtare për Televizionin dhe Kinemanë jep mësim në shkollën e kinemasë në Lodz ku dikur ka qenë nxënës.

Është vlerësuar me çmimet e karrierës: “Career Award” nga Flaiano International Prizes, Itali, “World Cinematography Award” nga Kritika Çeke, “European David Award”, “Special Award” nga Qendra e Kritikës së filmit në Nju Jork dhe “Golden Hugo” në Çikago.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›