E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gati paketa për rritjen e re të pagave dhe pensioneve

31-05-2011 / Nga Leonard Quku

Megjithë krizën ekonomike dhe vitin elektoral, qeveria s’heq dorë nga paketa për rritjen e pagave dhe të pensioneve. Duke e parë këtë vendim si një lokomotivë të rritjes ekonomike, kryeministri Berisha thotë se kjo politikë është hipoteka më e mirë për shndërrimin e Shqipërisë në një vend me ekonomi të zhvilluar


Qeveria po përgatit paketën e rritjes së rrogave dhe pensioneve, për të përmbushur kështu një prej shtyllave kryesore të premtimeve të mazhorancës. Kështu u shpreh dje në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, kryeministri i vendit Sali Berisha. Kreu i qeverisë premtoi se kjo qeveri dhe kjo mazhorancë do rrisë pagat dhe pensionet sa herë që shqiptarët ta votojnë këtë platformë dhe projekt tejet ambicioz për mirëqenien e qytetarëve. “Së pari dëshiroj t’ju përshëndes shumë përzemërsisht  ju dhe mbarë qytetarët shqiptarë. Kam kënaqësinë t’ju pohoj juve, t’ju njoftoj juve dhe mbarë shqiptarët, se qeveria po përgatit në përputhje me programin e saj paketën e rritjes së rrogave dhe pensioneve. Rritja e rrogave dhe pensioneve ka qenë shtylla më kryesore e qeverisjes së kësaj mazhorance, që nga ardhja e saj në pushtet në vitin 2005 dhe do të vazhdojë të mbetet drejtim themelorë i punës së saj, për sa kohë shqiptarët ta votojnë. Rritja e rrogave dhe pensioneve, vendimet ekonomike, përbëjnë  shtyllë kryesore të programit të Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj, përbën njëkohësisht faqen e njerëzishme, fytyrën njerëzore të sistemit që ne ndërtojmë”, u shpreh Berisha. Kryeministri theksoi se në 2005-ën pensionet e fshatit vërteteshin në mesataren e tyre 34 mijë lekë të vjetra si dhe rroga mesatare me jo më shumë se 220 dollarë. “Dua të kujtoj këtu se në vitin 2005, ne gjetëm një sistem rrogash dhe pensionesh, ndër më të pa përshtatshmit për qytetarët shqiptarë. Gjetëm pensionet e fshatit në mesataren e tyre me 34 mijë lek të vjetra, pra rreth 34 dollarë. Gjetëm pensionet minimale të qytetit në 65 dollarë, gjetëm rrogat e ulëta tek rreth 110 dollarë, gjetëm rrogën mesatare me 220 dollarë, gjetëm rrogat, më të lartë 11 deri në 13 herë më të larta se rroga mesatare. Pra gjetëm një sistem pagash, i cili ishte ndërtuar fund e krye mbi filozofinë e bllokut.  Ku më kryesorët paguheshin 25 fishin apo 30 fishin e punëtorit të thjeshtë që merrte  gjithsej 5 dollarë në muaj. Ne me seriozitetin më të madh vendosëm të ndryshojmë këtë sistem dhe ne shpallëm disa nga objektivat më ambicioze në historinë e këtij vendi, për sa u përket rritjes së pensioneve dhe rrogave. Ne shpallëm se nëse shqiptarët do të na votonin ne, në mandatin tonë të parë 4 vjeçar, ne do të dyfishonin rrogat e mësuesve, do të dyfishonim rrogat e infermierëve, do të dyfishonim rrogat e mjekëve, do të dyfishonim pensionet në fshat, do të dyfishonim pensionet e ulëta në qytete, pra ne morëm angazhime të pa precedent në historinë e një vendi për tu përmbushur gjatë një mandati 4 vjeçar. Ju jeni dëshmitarë, se ne këto premtime me përkushtim, me vendosmëri, me sakrificë i mbajtëm një për një dhe madje i tejkaluam. Në harkun kohor të qeverisjes së mandatit të parë çdo fermer që merrte një pension prej 34 mijë lekësh, firmosin  në fund të atij mandati për një pension mbi 72 mijë lek. Në harkun kohor 4 vjeçar të mandatit të parë çdo arsimtarë, çdo mësues që shpërblehej me 220 mijë lek në muaj, në fund të këtij mandati ka firmosur për dyfishin dhe mbi dyfishin e tij. Çdo infermier që shpërblehej me 150 mijë lek në muaj, në fund të mandatit ka marrë së paku mbi 320 mijë lekë në muaj, çdo mjek që kishte një pagë simbolike ka firmosur për mbi dyfishimin. Ne ia dolëm që me këtë politike humane, sociale, e cila ndikonte direkt në xhepat, në kontot bankare, në llogarinë familjare të 800 mijë familjeve shqiptare, ia dolëm që rrogën mesatare në Shqiptari nga 225 mijë lekë që ishte ta kalojmë vitin e kaluar në 520 mijë dhe kjo është një arritje e madhe për vendin. Kjo është një arritje jashtëzakonisht e rëndësishme”, deklaroi kryeministri. Kreu i ekzekutivit vuri në dukje se kjo mazhorancë do zbatojë projektet më të mira për zhvillimin e Shqipërisë si dhe krijimin e mundësive më të mira në interes të qytetit dhe qytetarit. Sipas Berishës politikat e suksesshme të qeverisë i bënë ballë efekteve të ashpra të krizës ekonomike globale, duke e kthyer Shqipërinë në një vend tërësisht të “pastër”. Kryeministri kujtoi gjithashtu se borxhi publik do vazhdojë të mbahet në shifra të përballueshme. “Shqipëria vend i zhvilluar është për tu ndërtuar në çdo familje shqiptarë, është për tu ndërtuar në çdo qoshe, skaj, rrugë, rrugicë, qytet, fshat të këtij vendi. Ndaj dhe politika jonë është politikë, e cila përfaqëson në radhë të parë njeriun, qytetarin. Kritika ka pasur për këtë politike, ka pasur kritika, do të theksoja se një pjesë, buronin nga ndrojtja e pasojave të kësaj politike, por ato faktuan se ishin jo të sakta, sepse kjo politikë nuk shkaktoi inflacion, sepse kjo politikë nuk shkaktoi rritje të borxhit. Kur jeni ulur në vitin 2005 pas zgjedhjeve në këto karrige, Shqipëria që trashëguam kishte një borxh prej 72 për qind, sot Shqipëria ka një borxh prej 59 për qind dhe këtë borxh e kemi pasi janë ndërtuar 8 mijë kilometra rrugë. Pasi kemi mbi dyfishuar rrogën mesatare  të punonjësve në Shqipëri dhe pensionet. Pasi kemi ndërtuar qindra e qindra ujësjellësa. Kemi bërë sot që 98 për qind e qytetarëve Shqiptarë të kenë akses në ujin e pijshëm. Pasi kemi ndërtuar dhe rindërtuar më shumë se 1200 shkolla. Pra modeli ynë funksionoi. Modeli ynë i qëndroi krizës”, tha Berisha. Duke iu referuar rolit të opozitës ndaj politikave të qeverisë, Berisha tha se PS quajti krim të ashpër rritjen e rrogave dhe pensioneve. “Modeli ynë është model suksesi, opozita u përpoq me të gjitha format që të bllokonte rritjen e rrogave dhe pensioneve. Nuk mund të më fshihen nga kujtesa ndonjëherë deklaratat, të cilat e cilësonin atë si vepër kriminale në një kohë kur ajo ishte vepra më njerëzore që mund të bëjë ndaj atyre 800 mijë familjeve, punonjës në radhë të parë në administratë, të cilët janë promotorë, janë vektorë, janë faktor në realizimin e të gjithë këtyre reformave që bënë të mundur këtë performancën ekonomike, por dhe ndaj gjysmë milioni pensionistë gra dhe burra të moshuar të këtij vendi, që kanë shkrirë të gjitha energjitë e tyre në një sistem barbar, nga i cili dolëm me një apo dy këmisha dhe një palë rroba doku si gardërobë, pra ata meritojnë shumë më tepër, ndaj dhe unë kam shumë kënaqësi, që këtë vit sërish ne për vitin e tretë me radhë jemi  ndër vendet e pakta në Europë dhe në Botë që rrisim në mënyrë të ndjeshme rrogat dhe pensionet. Unë besoj shumë se investimi tek burimet njerëzore është dhe mbetet investimi më i rëndësishëm që një vend dhe një komb mund të bëjë, dhe ne po e bëjmë këtë, tha më tej kryeministri Berisha, duke shtuar se, të gjitha këto kanë një synim, Shqipëria vend i zhvilluar në vitin 2017”. “Ndaj dhe desha t’ju informoj se për këtë muaj aktiviteti më i rëndësishëm i qeverisë dhe veprimtarisë tuaj është  rritja e rrogave dhe pensioneve. Natyrisht do të behët kjo duke kontrolluar me lupë të gjitha shpenzimet e tjera. Nuk do të pranojmë që të rritet qoftë dhe një qindarkë borxhi publik, që ne qëndrojmë në shifrën e borxhit që jemi zotuar”, tha ai. Kryeministri shtoi se në një tjetër drejtim që po ecet me ritme pozitive është arsimi. “Çdo njëri që mëson se në këtë vend mbi 91për qind e atyre që mbarojnë klasat e nënta ndjekin shkollën e mesme dhe mbi 70 për qind e atyre që mbarojnë shkollat e mesme ndjekin universitetin, e konsiderojmë ketë si një nga përpjekjet më të suksesshme për një sistem arsimorë, promotorë i rëndësishëm i zhvillimit të vendit”, theksoi ndër të tjera kreu i qeverisë Sali Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›