E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gati për Botëror

32 ekipet më të mira në botë do të marrin pjesë në kompeticionin më të rëndësishëm të futbollit në botë, që do të mbahet në Afrikën e Jugut. Ceremonia hapëse e Kampionatit Botëror 2010 këtë vit filloi të enjten mbrëma. Këngëtarja Shakira ka performuar ‘live’ bashkë me grupin lokal të quajtur Freshlyground.

Kënga e këngëtares kolumbiane Shakira, “Waka Waka”, ka marrë komente të miksuara. Edhe pse është e dashur në këtë vend, shumë njerëz të këtij kontinenti do të dëshironin një këngëtar nga Afrika e Jugut për ta bërë hapjen solemne të evenimentit me këngën zyrtare.

Të premten, vetëm disa orë para fillimit të ndeshjes së parë ndërmjet Afrikës së Jugut dhe Meksikës, do të vazhdojë pjesa e dytë e ceremonisë solemne. Edhe pse ishte në dyshim, duket se hapjen e ceremonisë do ta bëjë Nelson Mandela, ish president i Afrikës së Jugut, që përkundër gjendjes jo të mirë fizike, mund të zbresë në fushë të premten në stadiumin e Johannesburg.

“Duhet ta kujtojmë se Nelson Mandela është 92 vjeç. Por, ai dëshiron të jetë aty, andaj ka gjasa të mira që ai të jetë në fushë. Ne do të ishim të lumtur nëse ai do të mund t’ia dilte mbanë. Nëse do të qëndrojë aty vetëm pesë minuta apo gjatë tërë ndeshjes, ky nuk është vendim i yni. Do të ishte qershi mbi tortë, por torta është e ftohtë dhe e gatshme”, ka thënë shefi ekzekutiv i Komitetit Organizues, Danny Jordaan.

Pjesë e festimit të ceremonisë hapëse të Botërorit do të jenë edhe këngëtarët Alicia Keys, Black Eyed Peas, John Legend e Juanes nga Kolumbia. Përpos tyre, pritet të ketë edhe talente lokale, ndërsa koreografia është gati dhe synon ta lërë të gjithë botën gojëhapur.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›