E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gati për festival

Me premierën e shfaqjes “Vdekja e legjendës”, të Teatrit të Ferizajt ‘Adriana Abdullahu’, të premten fillon edicioni i 42’të i Festivalit të Teatrove të Kosovës, i cili tradicionalisht mbahet në Ferizaj.

Fatmir Hyseni, drejtues i Këshillit Organizativ të festivalit, pohon se kanë përfunduar të gjitha përgatitjet për këtë festival. Sipas tij, në Festivalin e Teatrove të Kosovës do të marrin pjesë trupa teatrore nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia.

“Festivali do të hapet të premten mbrëma, me premierën e shfaqjes ‘Vdekja e legjendës’", thotë Hyseni.

Në kuadër të festivalit do të mbahet edhe një debat për teatrot e qyteteve dhe statusin e tyre.

“Përveç këtij debati, për herë të parë shfaqen edhe dy shfaqje monodramë, gjë që nuk ka ndodhur më parë”, sqaron Hyseni.

Ndryshe, në Festivalin e Teatrove të Kosovës do të prezantohen 11 shfaqje, dy prej të cilave jashtë konkurrencës. Juria e festivalit përbëhet nga regjisori nga Maqedonia, Sylejman Rushiti, nga regjisori kosovar, Ben Apolloni, dhe nga aktorja ferizajase, Leonora Hasani.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›