Itali, policia kap 20 kg heroinë, një i arrestuar
Makinë e policsë italiane (foto LaPresse)
Një bandë që trafikonte heroinë nga Shqipëria drejt Italisë është goditur nga policia e shtetit fqinj, e cila ka vënë në pranga 11 persona, mes të cilëve edhe kapon shqiptar, Altin Lagji. Tetë shqiptarë dhe tre italianë janë arrestuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike në Ravena, në kuadër të një operacioni të policisë italiane, i koduar Perla.
Në momentin e arrestimit janë sekuestruar edhe 20 kg heroinë si dhe një sërë pajisjesh që përdoreshin për paketimin e lëndës. Sipas policisë italiane, në krye të bandës qëndronte Altin Lagji, një 37-vjeçar shqiptar, i cili jetonte në Milano së bashku me prindërit e tij dhe gruan italiane. Banda trafikonte heroinë e kokainë, që dërgohej nga Shqipëria, për tu shpërndarë më pas në Milano dhe veri të Italisë.
Fillimisht, droga merrej në dorëzim nga Emis Puja, 28 vjeç, dhe më pas dërgohej në bazë, apartamente të personave që për policinë rezultonintë pastër. Banda arrinte të nxirrte nga shitja e drogës një fitim prej 250-300 mijë eurosh.
Policia italiane nuk jep identitetin e shtatë shqiptarëve të tjerë të përfshirë në trafik, por bën të ditur se të gjithë kishin leje qëndrimi të rregullta në shtetin fqinj. /Gazmira Ndoja/