E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ramadani: Luftëtarin e shoh kampion, por duhet kujdes

Nga SOKRAT PAPADHOPULLI

Futbollisti shkodran Behar Ramadani thekson se është parë edhe gjysma e kampionatit dhe çdo ndeshje duhet marrë shtruar

Java e17-të ka interesanten, që vendi i parë prit të fundit dhe i parafundit të dytin, pra janë ndeshjet LuftëtariHimara dhe Burreli-Kukësi. Ndoshta pas kësaj  jave do të përplasen Luftëtari dhe Kukësi për ndeshjen e prapambetur të fazës së parë, që po zvarritet si shumë.

Ndoshta kjo mund të bëhet më 29 shkurt, për të mbyllur vitin e brishtë, që për të parin parashikohet më i mbari i 5 sezoneve të fundit, sepse jo vetëm shpresohet, por edhe besohet se do të kthehet në superiore pa ndonjë mëdyshje. Luftëtari në stadiumin e tij i ka të gjithë treguesit për të realizuar fitoren e 13të, sepse çdo gjë flet për një epërsi të dukshme.

Gjirokastritët kanë vetëm fitore në shtëpi, me golaverazhin 18-3, ndërkohë që Himara në transfertë ka vetëm 1 barazim dhe 7 humbje, me golaverazhin 4-15. Në këtë rast, bastet duhen vënë për diferencën e galave në favor të Luftëtarit, por, edhe pse kështu, përsëri duhet kujdes dhe luftë sportive.

Ramadani Te Luftëtari, krahas gjirokastritëve që përbëjnë pjesën kryesore të orkestrës, janë edhe shkodranët, të cilët vijnë fill pas tyre.  Ata janë portieri Selimaj, mbrojtësi Baci, sulmuesi Raboshta dhe mesfushori Ramadani, ndërkohë që për fazën e parë ishte edhe Pjetrani. Ata kanë ndikuar shumë në ecurinë e këtij ekipi, si për të treguar që shkodranët futbollin e kanë në gjak.

Behar Ramadani thekson se Luftëtari nuk do ta vërë asnjëherë në diskutim vendin e parë: E kemi thënë dhe përsëri do ta themi, që Luftëtari i këti sezoni është ekipi më elitar i kategorisë së parë dhe marshimi i tij drejt superligës është i pandalshëm. Kjo ecuri i ka rrënjët në përbërjen e ekipit dhe përgatitjet që janë bërë dhe po bëhen. Pata një periudhë riaftësimi dhe u aktivizova në miqësoren  me Bylisin.

Them se në vazhdim do ti shërbej ekipit në realizimin e objektivit, që pas shumë vitesh do të gëzojë Gjirokastrën dhe të tjerët, që janë të pasionuar me Luftëtarin kudo që ndodhen. Ndeshjen e radhës me Himarën modeste, por të paepur, do ta vlerësojmë si një ndeshje me kundërshtar të denjë, sepse kështu motivohemi dhe mobilizohemi si duhet dhe respektojmë edhe atë, pavarësisht nga renditja.

Mendoj se, edhe pse gjithë opinioni thotë se Luftëtari është që tani në superligë, duhet të kemi kujdes dhe të mos na marrë koka erë, sepse ashtu si përmbyset rezulati në një ndeshje, mund të përmbyset edhe renditja në një kampionat të tërë, aq më tepër kur kemi gjysmën e tij përpara. Pra, ndeshjet duhet ti marrim shtruar, të paktën deri në pragun matematikor të shpalljes kampion të kategorisë së parë, që me siguri do të realizohet.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›