E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gavras, 40 vjet sukses nw Francw

Kosta Gavras sjell ndër mend herën e parë kur mbërriti në Gare de Lyon nga Greqia në vitin 1954. "Moti ishte i ftohtë, binte shi, retë e dendura ndereshin mbi qytet dhe njerëzit flisnin një gjuhë që nuk e kuptoja. Ndjesia e parë që provova ishte të ikja me vrap nga kisha ardhur". Tashmë 76-vjeçar, Gavras është një nga regjisorët më të famshëm e popullorë në Francë. Brenda një periudhe kohore 45-vjeçare ka realizuar 20 filma. Që nga koha kur ishte student në Sorbonë, edhe sot e kësaj dite ai vazhdon të jetojë në lagjen e famshme "Quartier Latin", në një shtëpi ngjyrë rozë me një kopsht që sheh nga Bulevardi Saint Michel. Në këtë kopsht, nipërve të tij u pëlqen të luajnë në ditët e pranverore. Tashmë Gavras është një francez 24 karatësh, ka një titull kalorësie francez që e mori në vitin 2007 dhe është Presidenti i "Cinematheque Francaise" një nga arkivat më të mëdhenj të filmave në botë, që ndodhet në një godinë luksoze buzë Senës. Këtë vit mbushen 40 vjet nga filmi që i dha famë "Z" (1969) që flet për një gjykatës të pakorruptuar që hetonte për vrasjet e disa personave në një demonstratë paqësore. Në këtë film interpretonte edhe i madh Yves Montand. Ky film ishte një padi ndaj grushtit ushtarak në Greqi, i mbështetur nga amerikanët në vitet 1967-‘74. Ishte një film plot satirë të zezë dhe me një kolonë zanore të Mikos Theodorakis, që në atë kohë ndodhej në arrest shtëpie. Pikërisht ky film-akuzë i dha famë shumë të madhe regjisorit Gavras dhe madje edhe "Oskarin" si filmi më i mirë i huaj. I joshur nga Hollivudi në vitet ‘80 Gavras realizoi edhe disa filma në anglisht "Missing" (1982) që i dha një "Oskar" për skenarin më të mirë. Edhe ky film ishte një tjetër "akuzë" ndaj një tjetër grushti shteti të mbështetur nga amerikanët, por në këtë rast në Kili në vitin 1973. Një tjetër film, "Amen" i vitit 2003 u bazua gjithashtu në çështjet e politikës, këtë herë në çështjen e rolit të kishës katolike dhe forcave aleate në tragjedinë e Holokaustit. Gavras thotë se kinemaja në vetvete është shumë e politizuar. Kjo duket edhe në filmat "action" ku shfaqen heronj që ia dalin të shpëtojnë botën me një pistoletë. Për sa i përket filmave të tij, ata bazohen kryesisht në fakte. Interesi i tij ka qenë gjithmonë eksplorimi i "piramidës së pushtetit" dhe marrëdhëniet njerëzore të shkatërruara për shkak të politikës globale, ideologjive dhe besimeve. Filmat e Gavrasit përqendrohen tek ata persona, që pavarësisht abuzimeve dhe dhunës që ushtron politika e hapur dhe e fshehtë ndaj njerëzve, arrijnë që të qëndrojnë e të shndërrohen në dëshmitarë kokëfortë të një realiteti të padrejtë. Për Gavrasin, "rezistenca është gjëja më e rëndësishme". Philipe Claudel, shkrimtari dhe regjisori francez e konsideron Gavrasin si një "poet tragjik", filmat elegantë e njerëzorë të të cilit ngrenë pyetje ekzistenciale. "Ai shkruan përmes kamerës së tij dhe aty paraqet luftën mes historisë dhe zgjedhjeve personale njerëzore ose shfaqja e njeriut në një shoqëri çnjerëzore". Filmi i fundit i Gavrasit është "Eden is Uest" dhe flet për përvojat e tij të para si emigrant. Ai rrëfen historinë e një emigranti në Evropë. Ëndrra e tij ishte të prekte Parisin. Historia nis si një variant modern i "Odisesë", në detin Egje. Personazhi kryesor, Elias është Uliksi i ditëve tona që përballet me sfidat e kërkimit të hapësirave të reja, në të njëjtat dete dhe toka si Uliksi i epokës së Homerit.

Kostantinos Gavras lindi në vitin 1933, në një fashat të Peloponezit. Gjatë pushtimit nazist, i ati, një antirojalist, u bashkua me krahun e majtë të rezistencës. Pas përfundimit të luftës, kur Greqia u përfshi në sferën e influencës së Perëndimit dhe lufta civile përfundoi me humbjen e komunistëve në vitin 1949, i ati e humbi vendin e punës dhe madje u burgos. "Të gjithë ata që përkrahën rezistencën e majtë u konsideruan komunistë dhe pas burgosjes së babait u bëmë shumë të varfër", rrëfen Gavras. E ëma u shndërrua në pastruese të shtëpive të pasanikëve, ndërsa vetë Kosta bënte çdo lloj pune që t‘i dilte vetëm për të siguruar bukën e gojës. Pozicioni i të atit jo vetëm që nuk i dha mundësi që të shkollohej, pasi nuk e lejonin të regjistrohej në universitet, por atij iu refuzua edhe viza amerikane, kur e kërkoi për të studiuar kinematografi në Amerikë. "Ishte periudha më keqe që njeh historia moderne e Greqisë, pas pushtimit otoman, por unë isha me fat që mund të shkoj në Francë e të studioj aty. Nëse nuk do të kishte qenë problemi i tim eti do të kisha vazhduar të qëndroja në Greqi. Kur punoja në Athinë për të kursyer para për të ikur, zbulova një pjesë të shoqërisë, që në kushte të tjera nuk do të kisha pasur mundësi që ta njihja. Në Francë, më pas zbulova se çdo të thotë për një njeri të ishte "i lirë", të lexoje dhe të diskutoje haptazi, çka ishte e pamundur në Greqinë e atyre viteve". Në vitin 1956, ai u regjistrua në Shkollën Kombëtare të Filmit në Paris. "Për mua ishte një mrekulli që më në fund mund të diskutoja për filmat, për përmbajtjen e tyre dhe mënyrën e realizimit". Në vitin 1958 ishte nga të parët regjisorë të shkolluar së bashku me François Truffaut dhe Jean-Luc Godard. Ky brez i ri ishte sfida ndaj brezit të vjetër, ishin ata që po vendosnin rregulla të reja loje. Gjatë asaj periudhe dhe viteve në vijim, Gavras punoi me mjeshtër të tillë si Rene Clair dhe Rene Clement, si dhe me autorë të tillë si Jacques Demy. Gavras që në filmat e tij të parë ishte shumë i dhënë pas ngjarjeve politike dhe pasojave të tyre te njerëzit e thjeshtë. "Nëna ime më thoshte shpesh që të qëndroja larg politikës, por nuk mund të rimë edhe të papërfshirë, sepse duke mos u pozicionuar, në fakt je pozicionuar. Nëse e refuzon politikën ke refuzuar shumë marrëdhënie. Unë mendoj se gjëja më e keqe në një shoqëri është individualizmi. Në vitet ‘60, Gavras kishte në dorë librin e Vassilis Vassilikosit "Z", që fliste për vrasjen e deputetit grek, Gregoris Lambarkis, kur kolonelët morën pushtetin. Duke pasur parasysh këtë libër, ai shkroi një skenar së bashku me shkrimtarin spanjoll, Jose Semprun dhe "Z" nisi xhirimet në Algjeri. Ngjarjet e majit të ‘68-ës në Paris ishin një shtysë e mirë për suksesin e filmit, por edhe një periudhë ndryshimesh personale për Gavrasin. Pas hyrjes së tankeve sovjetike në Pragë, në vitin 1968, Gavras reagoi menjëherë dhe realizoi filmin "The confession". Në qendër të tij ishte Artur London, një ministër komunist çek, që e detyruan të dëshmonte në një gjyq të montuar kundër një personi të pafajshëm. Me këtë film ata që e konsideronin Gavrasin një komunist, ndërruan plotësisht mendim. Pavarësisht rebelimit dhe luftës kundër padrejtësive, Gavrasit nuk i pëlqenin as utopitë. "Brezi im në Greqi, në fund të viteve ‘40 mendonte se komunizmi ishte zgjidhja e problemeve, por të paktën në Evropën Lindore ai ishte një sistem diktatorial që nuk kishte asnjë lloj respekti për qenien njerëzore, që udhëhiqej nga ca liderë partiakë, që kishin zëvendësuar zotat dhe që ishin shndërruar në qenie mizore e gjakpirëse. Shoqëritë janë në luftë të vazhdueshme për të ndryshuar gjërat dhe nuk mendoj që një shoqëri mund të personifikojë parajsën". "State of Siege" (1972), një tjetër film i Gavrasit, flet për grabitjen dhe vrasjen e një zyrtari të një agjencie amerikane ndihmash nga guerilasit e Uruguait. Filmi u xhirua në Salvadorin e Kilit të Aliendes, para se Presidenti marksist të vdiste gjatë grushtit të shtetit të Pinoçetit. Gavras e konsideron Alenden si naiv, por tepër të ndershëm. "E dija që një njeri si ai nuk do të kishte pasur sukses në një shoqëri me rregulla të mbrapshta". Dy muaj pasi Pinoçeti mori pushtetin më 11 shtator 1973, junta greke sulmoi politeknikun e Athinës, të zënë nga studentët protestues. Në filmin "Missing" që flet për "të zhdukurit" e Kilit në periudhën e sundimit të Pinoçetit në Kili, Gavras rrëfen për torturat, vrasjet, masakrimet dhe zhdukjet e njerëzve nëpër stadiume. Ndërsa punonte për Hollivudin, ai kishte mundësi që të mbante nën kontroll skenarët dhe aktorët e filmave të tij dhe të bënte montazhin në Paris. Për shkak të vërtetësisë së fakteve të pasqyruara në filmat e tij, Gavras mori edhe kritika. Shpesh i thoshin që të mos ishte aq i drejtë në filmat e tij, sepse do të pësonte një ulje të shikueshmërisë së filmave. "Kjo puna e shikueshmërisë është diçka komplekse. Sigurisht që nuk mund të mos e marrësh parasysh faktorin publik, por njëherazi nuk mund të paragjykosh apo nënvleftësosh as inteligjencën e as guston e tij, çka do të thotë që duhet të ecësh më shumë me intuitë për një film, sesa duke iu referuar idesë së përgjithshme që mund të ekzistojë për atë ç‘do, apo nuk do publiku." "Amen" është një tjetër film i bazuar në dramën e Rolf Hochhuth, "The Deputy" e vitit 1963. Ishte një film që shkaktoi shumë reagime veçanërisht nga katolikët. "Nëse kisha katolike i ka rezistuar kohës për 2000 vjet, kjo ka ardhur vetëm si pasojë se ajo ka qenë e mirë me të pushtetshmit e kësaj bote". Dy nga filmat e tij më të fundit flasin për njerëz të thjeshtë që bëjnë gjëra të jashtëzakonshme për shkak të presionit të madh që ushtrojnë mbi ta rregullat e mbrapshta të shoqërisë. I tillë është filmi me Xhon Travoltën i vitit 1997 "Mad City", si dhe filmi "The Ax" i vitit 2005 që flet për krizën ekonomike aktuale. Ky film ishte një sukses i jashtëzakonshëm në Francë. Ai flet për një nëpunës të lartë që mbeti i papunë, pas shkrirjes së kompanisë së tij me një tjetër dhe që në këto rrethana vendos që të shkatërrojë ata që e lanë në mes të rrugës. "Të vrasësh për një vend pune është sigurisht një metaforë, por kur humbasim vendin e punës, humbasim gjithçka. Është një tragjedi që shumë persona e kanë përjetuar muajt e fundit". Po çfarë mendon Gavras për situatën aktuale në Greqinë e tij. Edhe pse ai i sheh me shumë pozitivitet ndryshimet që kanë ndodhur dhjetëvjeçarët e fundit me anëtarësimin e Greqisë në BE për sa u përket trazirave të fillimvitit Gavras thotë se ato janë një demonstrim dhe provë e qartë se sistemi ekonomik, social dhe edukues nuk ka ndryshuar shumë. Të rinjtë nuk mund të pranojnë më që qeveritë, të djathta, apo të majta qofshin të vazhdojnë të premtojnë pa i mbajtur premtimet e tyre. Ata nuk mund të pranojnë më faktin që qeveritë të japin miliona për të shpëtuar bankat dhe të mos japin asgjë për përmirësimin e sistemit arsimor". Atij i pëlqen që të përmendë shpesh një thënie të të famshmit Ingmar Bergman: "Roli i kinemasë është që të ndjellë spektatorin dhe pastaj ta lërë të lirë të reflektojë e të zhytet në mendime". Në Greqi ne kemi një shprehje që në anglisht do të përkthehej: "drejtim i shpirtit". Jam i bindur që roli i kinemasë është i tillë".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›