E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lidhjet e Leonardos me Francën

Thuajse pesë shekuj më parë, artisti dhe shpikësi gjenial italian, me shkëlqim disi të zbehur, ndërmori një udhëtim 800 kilometërsh, në këmbë e hera-herë mbi mushkë, përmes Alpeve për të mbërritur në një qytet të vogël përgjatë lumit Luar. Përveç mushkës, shoqërohej nga dy pasues besnikë dhe tri piktura. Kur vdiq në Francë, në vitin 1519, artisti ia la pikturat një prej dy pasuesve. Që të tria punët u bënë të famshme; madje njëra prej tyre u bë piktura më e admiruar e të gjitha kohërave. Ai artist qe Leonardo Da Vinçi.

Vdekja dhe varrimi i tij në Francë dhe vendi i fundit i punës si artist, filozof dhe arkitekt i Mbretit Fransua I, do të thoshte se Leonardo për shumë vjet u konsiderua nga francezët si një francez i nderuar. Me përjashtim të pranisë në Luvër të tri pikturave, të cilat i kaluan Alpet mbi mushkë - sigurisht, një prej të triave qe ajo e Mona Lizës - lidhjet e Leonardos me Francën kujtohen shumë pak jashtë këtij vendi.

Gjatë viteve të ardhshme, duke nisur që nga kjo verë, Shato Dë Klos Luk në qytetin e mrekullueshëm Ambuaz, ka ndër mend ta ndryshojë këtë. Ndërtesa ku Leonardo jetoi tre vjet deri përpara se të vdiste është kthyer prej kohësh në muze. Tani i është futur një plani ambicioz për t‘u kthyer në "në parkun e parë në botë me temë kulturore dhe intelektuale".

Synimi është nxitja e vizitorëve, turistëve, studentëve, akademikëve, të zbërthejnë kodin "e vërtetë" të Da Vinçit. Leonardo nuk qe veç piktor, ndoshta piktori më i madh i të gjitha kohërave. Ishte poet, muzikant, filozof, inxhinier, arkitekt, shkencëtar, matematikan, anatomist, shpikës, arkitekt dhe botanist. Tentoi shumë, por përmbushi relativisht pak. Për disa qe gjeni universal; për disa të tjerë një diletant brilant e i frustruar.

Një ekspozitë që do të hapet kësaj vere me temë lidhjet franceze të Leonardos do të përfshijë një prej shpikjeve më mbresëlënëse të gjeniut. Gjatë qëndrimit në Klos Luk, ai dizajnoi një luan robot me përmasa reale, i cili mund të ecte, të lëvizte kokën dhe të të hapte gjoksin për të zbuluar një tufë zambakësh, simboli mbretëror francez.

"Leonardo qe, ashtu si edhe gjithçka tjetër, një lloj Xhorxh Lukas i shekullit XVI", thotë Fransua Sen Bris, drejtor i Shato Dë Klos Luk dhe parkut "Leonardo Da Vinçi". "Efektet e tij speciale qenë legjendare, veçanërisht luani mekanik që krijoi për Mbretin Fransua I. Jemi mbështetur te përshkrimet e bashkëkohësve të tij për t‘i kërkuar një prodhuesi orësh nga Venecia ta ngjallë përsëri atë luan për këtë verë".

Muajin e ardhshëm do të zhvillohet një aktivitet përmes të cilit fëmijët do mund të studiojnë idetë e Leonardos, si dhe të ndjekin influencën e veprës së tij përgjatë shekujve. Një ndërtesë e vjetër industriale pranë zonës së parkut do të kthehet në dy vitet e ardhshme në një librari me punët mbi Leonardon; "një pavijon virtual artistik" me riprodhimet e 17 pikturave të tij më të mira; një laborator me teknologji të lartë për të studiuar arritjet e tij në fushën e shpikjes.

Sen Bris, pjesëtar i familjes që ka në zotërim gjithë terrenin tha: "Klos Luk është unik. Nuk ka asnjë vend tjetër në botë ku prania e Leonardos të jetë dokumentuar aq mirë. Duam të krijojmë vendin më të përshtatshëm për studimin e arritjeve të atij që me shumë gjasa është mendja më e madhe e të gjitha kohërave - sigurisht mendja më e larmishme. Përveç kësaj duam ta bëjmë këtë kompleks vendin më të rëndësishëm në Evropë për sa i përket eksplorimit të të gjitha aspekteve të Rilindjes, nga muzika te shkenca, nga Leonardo, te Makiaveli e Shekspiri".

Sipas legjendës, Leonardo vdiq në shtratin e tij në Shato Dë Klos Luk në krahët e Fransuasë së Parë, i cili e adhuroi piktorin, shpikësin dhe filozofin e tij të preferuar, të cilin e quante "ati im". Në të vërtetë, ka prova historike që Mbreti francez - bashkëkohës dhe rival i Herrit VIII - në kohën e vdekjes së artistit nuk gjendej fare në Ambuaz.

Donald Sason, autor i librit mbi veprën më të famshme të Leonardos - Mona Liza: historia e pikturës më të famshme në botë - nënvizon se artisti, shpikësi e filozofi i kishte humbur favoret e Italisë para nisjes për në Francë. Mbreti Fransua I qe përpjekur pa sukses të transferonte në Francë artistë të tjerë italianë, përfshi Mikelanxhelon. Për autorin Sason, Leonardo qe emri më i madh që mundi të bindte mbreti francez. Megjithatë, u trajtua me gjithë madhështinë e mundshme. U pagua 700 korona ari në vit dhe iu dhurua kështjella Shato Dë Klos Luk si "vend për të punuar, menduar e ëndërruar". Mbreti e vizitonte përmes një tuneli të nëndheshëm që lidhte shtëpinë e Leonardos me kështjellën mbretërore rreth 500 metra më tej.

Dhoma e fjetjes së Leonardos është kthyer në kushtet e kohës së gjeniut. Panorama e kështjellës mbretërore ka ndryshuar shumë pak nga skica që punoi Leonardo në vitin 1517, skicë që sot është pjesë e koleksionit të kurorës britanike (si edhe shumë punë të tjera të marra në Klus Luk).

Nuk është bërë ende njoftimi zyrtar, por ekspozita "Leonardo dhe Franca" që do të hapet nga 24 qershori do të përfshijë disa skica të vona të punuara nga dora e Leonardos, të cilat do të kthehen në vendin ku u krijuan për herë të parë në pesë shekuj. Por do ketë edhe shumë gjëra të tjera për t‘u admiruar. Në bodrumin e kështjellës vizitorët do mund të kënaqen duke parë replika të pajisjeve mekanike të Leonardos, përfshi paraardhësin e helikopterit të sotëm, një mjet fluturues, një biçikletë, një tank e shumë të tjera. Një pjesë e terrenit është kthyer që verës së shkuar në "Kopshtin e Leonardos", dhe përmban më shumë se 300 specie të gjetura në shkrimet dhe pikturat e gjeniut.

Por pjesa më ambicioze e projektit shtrihet përpara. Dhoma e punës së piktorit do të kthehet pikërisht në ato kushte në të cilat gjendej gjatë kohës kur aty punonte Leonardo. Kjo është edhe dhoma ku gjeniu skiconte dhe zhvillonte shpikjet e veta. Dihet thuajse me siguri të plotë që në një qosh të kësaj dhome qëndroi për tre vjet Mona Liza, me të cilën merrej herë pas here - pa u kënaqur kurrë për përsosmërinë e saj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›