Gazeta zvicerane: Tirana, një metropol i vërtetë
Gazeta zvicerane, Tages Anzeiger, i kushton një reportazh zgjedhjeve në Shqipëri, duke u përqendruar në kryeqytetin, Tiranë. Në reportazh thuhet se qyteti është kthyer nga një vend provincial në një metropol të vërtetë. Qytetin mund ta shijosh nga lart duke udhëtuar me një teleferik në malin e Dajtit, shkruan gazeta. Por nga afër, ai është shumë atraktiv. Turistët nga e gjithë bota kanë zbuluar tani qytetin. Japonezët bëjnë foto ng Sky Toëer, shkruan gazeta.
Gazeta përmend bllokun ku dikur jetonte nomenklatura komuniste, e ku tani bëhet jeta e natës. Sipas gazetës, në Tiranë mund të pish kafen ekspres më të mirë nga Viena deri në Stamboll.
Sipas saj, ndryshimi i qytetit lidhet me emrin e Edi Ramës. Gazeta përmend megjithatë angazhimin e tij politik si kryetari i PS dhe tensionin e lartë në vend pas zgjedhjeve të vitit 2009. Gazeta citon Fatos Lubonjën të thotë se ky qytet megjithatë nuk ka memorie dhe kontrollohet nga mafia e ndërtimit.
Kundër Ramës, shkruan gazeta, konkurron Lulzim Basha, ish- ministër i Brendshëm, që është sulmuar ashpër nga mediat opozitare që e quajnë atë vrasës. Po ashtu përmendet edhe çështja e abuzimit me rrugën Durrës- Kukës.
Vëzhguesit shpresojnë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kështu vendi do afrohej më shumë me BE-në, përfundon gazeta.