E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në stacionin e shtatë

U çel dje në ambientet e galerisë “Coli’s”, ekspozita personale e piktorit Arben Theodhosi, ndërsa është promovuar edhe një katalog me veprat e tij, të cilat i përkasin viteve 2000-2010. Një ese e titulluar “Në stacionin e shtatë” pjesë e këtij katalogu, përcjell për dashamirësit e pikturës, rrugëtimin artistik, por edhe jetësor të Theodhosit ndër vite

çdo individ përfaqëson një koncept dhe një realitet më vete, ka yjësinë e vet të referencave dhe reflekton hapësirën kozmike në një mënyrë origjinale. Realiteti i moshave përcjell skenën relative më tërheqëse, pasi gjithçka që ekziston është e shkuara dhe e ardhmja. çdokush është origjinal, për aq sa e projekton veten në të shkuarën dhe në të ardhmen. Ky projektim, në dy kahet e dimensionit kohë, nënkupton proceset e hapësirës kozmike, të historisë njerëzore dhe të individit, forma ekzistence këto që ofrojnë kurdoherë një fillim, një vazhdim dhe një pikë përfundimtare. Por këto momente gjithnjë shndërrohen në njëra-tjetrën, janë e njëjta gjë dhe ndryshojnë sipas spektrit të referimeve... Koha ime varej nga hapësira kozmike, nga historia njerëzore dhenta individualiteti, varej pra nga një trinom, të cilin unë doja ta prekja në lëvizjen e vet të pandërprerë. Nuk paragjykoj raportin e ndokujt me këtë trinom: dua vetëm të them, se pjesëmarrjen time doja ta shihja - pa e fshehur egoizmin - në atë vorbullën superiore të esencës universale, e cila shprehej vetëm në vlerat e Artit të Madh... Tek individët që më ofronin miqësinë, koha mishërohej dukshëm në mënyrat më të ndryshme dhe me të gjithë larminë e vet, do të ndërtonte një raport krejt origjinal me atelienë time. Kjo atelie në qendër të “bllokut” i përkiste “bllokut” dhe nuk i përkiste “bllokut”. Pesha e misterit që diktonte vendbanimi i pushtetarëve, fashitej si me magji sapo që miku vizitor shtynte nga pas derën e ateliesë dhe përballej me interierin, me muret e pikturuara, me telajot, drutë, oxhakun, revistat e artit, me muzikën dhe me mua. Gjithçka ishte një rrëmujë e ndaluar!

I

Në vitin 1990, atelieja ime e pikturës migroi në një shtëpizë të vogël buzë Rrugës së Barrikadave, diku karshi shkollës “Sami Frashëri”. Shtëpiza ishte ende një pronë shtetërore e shfrytëzuar si atelie nga piktori Ylli Drishti, i cili ma ofroi provizorisht për hir të miqësisë së vjetër... Internimi në qytezën e minatorëve (Mirditë) kishte marrë fund. Isha ndarë përfundimisht nga vendbanimi alien dhe po ndërmerrja odisenë e rikthimit shpresëdhënës drejt Artit të Lirë... Gjatë 19 viteve të odisesë së rikthimit deri në momentin që po shkruaj, atelieja ime do të migronte në 7 lagje të Tiranës... Arti i lirë nuk lindte në shtete të lira, arti i lirë lindte në njerëz të lirë.

II

Stacioni i dytë ishte rruga “Myslym Shyri”. Mbi trotuarin verior të asaj rruge mbizotëronte tegeli i pallateve-tip të arkitekturës socialiste, prapa të cilit vargëzonin andej-këtej shtëpizat dhe vilat e vjetra private. Për një vit e gjysmë u strehova në katin përdhes të njërës prej këtyre vilave...

III

Migrimi i tretë daton në vitin ‘93. Atelieja u vendos në njërën prej godinave të Xhenjos, buzë rrugës “Ismail Qemali”, pranë shtëpisë ku banoj sot e kësaj dite. Në këtë ambient atelieja ime do të funksiononte deri në vitin ‘95...

IV

Në vitin ‘96, atelieja migroi pranë rrugës “Fortuzi”, në një ambient me qira që e zgjodha ndërmjet ofertave të agjencive imobiliare. Stacioni i katërt i ateliesë do të kombinohej me përvojën e vajtje-ardhjeve të emigracionit tim në Greqi. Ishte periudha më intensive, ku mbijetesa përmes artit do të harmonizohej me odisenë drejt artit të lirë dhe ku koncepti i së vërtetës, si një kthim në vetvete, do të shndërrohej nga një frazë filozofësh në një realitet të prekshëm... Në fund të fundit, kurdoherë dhe në çdo pëllëmbë të globit mund të tentohej drejt artit të lirë; kurdoherë dhe në çdo pëllëmbë të globit, ekzistonte intriga e së panjohurës... Kthehesha në vendlindje, gjithnjë me bindjen se gjithçka që kisha parë ekzistonte dhe nuk ekzistonte në mëmëdhe. Por isha i sigurt, veprat e artit të vërtetë realizoheshin nga njerëz që kërkonin lirinë, kudo, kurdoherë dhe pavarësisht nga barrierat e së panjohurës dhe mosaprovimit. Në mëmëdhe barrierat kishin specifikën e vet. Gjatë dekadës së parë postkomuniste, tendenca e ekstremeve përjashtuese thuajse importohej bruto nga e kaluara. Klanet e përkrahura nga pushteti, përjashtonin njëra-tjetrën në mënyrë vazhduese dhe sipas radhës, edhe në sferat e kulturës dhe artit. Përfaqësimet e reja të teknologjisë që në të kaluarën thuajse mungonin, si instilacioni apo video performanca e kombinuar, synonin gjithashtu pushtetin absolut në tregun e ekzibicionit, sa herë që u jepej mundësia dhe pavarësisht nga reagimi i tregut apo cilësia e dobët që mund të ofronin. Fenomeni ishte logjik: pas gjysmëshekulli kufizimesh dhe tendencash të shtypura, nuk mund të lindte papritur një personalitet i rritur artistik...

V

Vargu i kioskave të Lanës përbënte performancën më tipike të ndërtimeve provizore në Tiranë. Ishin dy vitet e fundit të ekzistencës së këtij vargu, 1998-2000, kur atelieja ime kërkonte limanin e saj të pestë. Në katin e dytë të njërës prej kioskave të mëdha përballë ish-ekspozitës “Shqipëria Sot”, unë mora me qira ambientin tim për të punuar...Ishte një periudhë e artë për klubet e natës, për restorantet, kafenetë dhe ndërtimet në përgjithësi. Ndër karakteristikat e kësaj periudhe mund të konsiderohej shtimi i ndjeshëm i artdashësve dhe i blerësve vendës të pikturës...

VI

Efekti i së bukurës mbi shëndetin mendor të kësaj bote ishte provuar larmishëm në çdo hap të historisë. Ishte provuar, ndër të tjera se në periudha të ndryshme historike, ky efekt errësohej përkohësisht, falë marrëdhënieve të caktuara art-politikë, ose art-biznes. Në komunitetin e artistëve të porsaçliruar nga depozitimi shtetëror, rëndësia e artit të lirë përbënte shpresën dhe motivin e personalitetit. Kishte mbërritur më në fund ajo dita e lumtur kur veprën e artit nuk do ta konceptonte më politika dhe nuk do ta realizonin më “mjeshtrit” e artit të skllavëruar. “Realizmi Socialist”, ky konceptualizëm mjeran i diktaturave, kishte marrë fund... Kioskat u shembën për t’i rikthyer Tiranës Lanën e qetë dhe të gjelbëruar. Stacionin e gjashtë të ateliesë, unë do ta siguroja pa humbur kohë. Atelieja do të staciononte në një shtesë kati buzë rrugës “Emin Duraku”. “Sido që të jetë, disi do të rregullohem”, i shkruaja në ato momente Titi Klosoit, mikut tim të vjetër, i cili andrallat e kësaj dynjaje i gjykonte me qetësinë e të preferuarit të tij “Ushtarit të mirë Shvejk”.

VII

“Sido që të jetë, disi do të jetë, sepse asnjëherë nuk ka bërë vaki që disi të mos jetë”, këtë SMS inkurajues më dërgonte si përgjigje Titi Klosi ditën e shembjes së fortesës së “Emin Durakut”. Brenda muajit do të siguroja limanin e shtatë të ateliesë sime. Ishte ambienti ku punoj sot e kësaj dite, një papafingo e çuditshme në godinën e ish-furrës së famshme të “Kikut”.

* * *

Koha vazhdon të më intrigojë me larminë e përfaqësimit të saj tek individët. Atelieja aktuale është mjedisi më i përshtatshëm ku fantazia provon veten në vetmi dhe mes njerëzish. Reagimi ndaj veprave të artit është momenti më i përkryer, përmes të cilit historia zbulon sedimentet e saj të gjalla në çdo individ. Secili mund të takojë tek njëri-tjetri skajet e së shkuarës dhe së ardhmes. Secili mund të identifikojë veten në mes të këtij spektri madhështor që është historia botërore e rikombinuar me bujari në çdo brez... Gjithnjë mes njerëzish, gjithnjë të vetmuar, duke tentuar individualitetin në shpërthime vullkanike që rikthehen sërish drejt burimit, ne luajmë me shpresën e një përmbajtjeje të re, më të pasur dhe më të vetëdijshme të thelbit dhe origjinës. Arti i lirë gjithnjë do të thuret përballë nesh, mes këtij lëmshi dimensionesh të dukshme dhe të padukshme, të lejuara dhe të ndaluara.

Marrë me shkurtime nga katalogu me të njëjtin titull

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›