E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gazetarët bashkë kundër dhunës, Breçani pjesëmarrës në protestë

aleksander-cipaMe moton Ne nuk do të heshtim, rreth mesditës, gazetarë të medias së shkruar e asaj vizive u mblodhën për të protestuar ndaj dhunës së ushtruar ndaj Genti Balltës, operator në Top Channel.

Ashtu siç edhe ishte paralajmëruar, gazetarët u mblodhën pikërisht në sheshin e Piramidës, në krah të Kryeministrisë, për  të dënuar dhunën e njerëzve me uniformë e me pushtet.

Pikërisht në vendin ku pjesa më e madhe e tyre kanë raportuar qoftë tubimet elektorale, ashtu dhe protestat e dhunshme, gazetarët kanë kërkuar të jenë të lirë në ushtrimin e profesionit të tyre dhe vendosjen përballë përgjegjësisë së çdo personi që dhunon punonjësit e medias në ushtrimin e detyrës së tyre.

Në mbështetje të gazetarëve ishte dhe Erzen Breçani, njeriu ndaj të cilit ishte organizuar dhe protesta e mesditës. I veshur civil, nëndrejtori i pezulluar i policisë së Tiranës, i është afruar gazetarëve duke i përshëndetur e takuar disa prej tyre.  Është ndalur për pak minuta duke folur me disa syresh e më pas, sikur asgjë të mos kish ndodhur, është ulur në kafet përballë duke ndjekur protestën nga larg.

Prezenca e komisarit të  akuzuar se dhunën ndaj operatorit Genti Ballta ka shkaktuar jo pak bezdi për gazetarët.

Megjithatë gazetari Gjergj Erebara, njëri prej organizatorëve, tha se protesta kishte për qëllim respektimin e dinjitetit dhe të drejtës të çdo njeriu për të jetuar pa frikën e dhunës policore.

Kjo nuk është thjesht një protestë për dëmin fizik që shkakton një grusht, kjo është një protestë për dinjitetin tonë, për të drejtën tonë për të jetuar pa u cenuar dhe pa frikën e dhunës policore. Fakti që zoti Breçani u pezullua nga detyra dje, tregon se nëse shqiptarët reagojnë si shoqëri dhe jo si individë të izoluar, për të gjithë ne gjërat mund të ndryshojnë për mirë, tha Erebara.

Protesta u përkrah dhe nga Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë. Kreu i kësaj organizate, Aleksandër Çipa, kërkoi që çdo njeri i veshur me pushtet të mos guxojë të vërë dorë ndaj gazetarëve, që janë duke kryer detyrën e tyre dhe në shërbim të publikut. Unioni i Gazetarëve përkrah të gjithë ata kolegë që kërkojnë ndihmë dhe janë në misionin e zbulimit të të vërtetave, tha ai. Pas qëndrimit në shesh për më shumë se 30 minuta, gazetarët janë larguar në vijim të përditshmërisë së tyre, në zbulimin dhe raportimin e lajmit.

Policia e Tiranës fillimisht mohoi çdo përgjegjësi për dhunimin e operatorit të Top Channel, i cili u godit nga numri dy i policisë kryeqytetase, Erzen Breçani. Ndërsa mbrëmjen e së martës u njoftua zyrtarisht se drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, ka marrë masën e pezullimit paraprak nga detyra ndaj zëvendësdrejtorit për Sigurinë Publike, të Drejtorisë së Tiranës.

Reagon edhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit

Në lidhje me ngjarjen e rëndë ka reaguar edhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit.

Ne mendojmë se ashtu sikundër duhen inkurajuar e mbështetur veprimet e ligjshme të Policisë së Shtetit, po me aq force duhen dënuar e kritikuar sjellje e qëndrime të këtij organi, që  cenojnë të drejtat e liritë e shtetasve, apo të mediave, në veçanti. Nga organet e policisë pritet, që në këtë periudhë parazgjedhore dhe të tensionuar, për shkak të veprimtarive të shumta politike, të rritin kujdesin për të ndihmuar organet e medieve dhe jo ti pengojnë ato, sepse informimi i publikut aktualisht merr rëndësi të veçantë për publikun e gjerë dhe për zgjedhësit në veçanti.

Së fundi, por jo për shkak të rëndësisë, dëshirojmë të tërheqim vëmendjen e organeve të Policisë së Shtetit dhe tu kërkojmë atyre të mbajtur qëndrime ligjore e profesionale në lidhje me kërkesat dhe njoftimet e subjekteve të ndryshëm për të zhvilluar tubime (manifestime). E drejta për tubim dhe manifestim është një nga liritë dhe të drejtat më të rëndësishme politike të shtetasve, e garantuar nga Kushtetuta dhe KEDNJ. Organet e policisë kanë detyra të qarta ligjore për ti mbështetur dhe ndihmuar ato, për të mbrojtur të drejtën e çdo personi, për të organizuar dhe marrë pjesë në tubime paqësore, pa armë. Çdo qëndrim tjetër do të ishte antikushtetues dhe antiligjor, thuhet në deklaratën e tyre./l.ç

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›