Gazetari Agim Baçi fitues i konkursit "Don Kishoti"
Gazetari Agim Baçi është fituesi i konkursit “Don Kishoti i Mançes”, i pari konkurs letrar për tregimin e shkurtër që organizohet në Shqipëri nga Ambasada e Spanjës në Tiranë. Tregimi "Letër Dylqinjës së Tobozës", i gazetarit Agim Baçi, u shpall më i miri mes dhjetra punimesh qe morën pjesë në konkurrim. Çmimi iu dorëzua gazetarit Baçi nga Ambasadori spanjoll në Tiranë, Manuel Montobbio, gjatë ceremonisë që u zhvillua të mërkurën në ambientet e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, në Ditën Botërore të Librit (Përvjetori i vdekjes së Miguel de Servantes). Gjatë kësaj ceremonie shkrimtari Fatos Kongoli tregoi rreth emocioneve të tij në një udhëtim në Tobozë. Kongoli përshkroi udhëtimin e tij në rrugët e përshkruara nga Servantesi për ‘Don Kishotin e Mançës’. Më pas, bazuar në traditën që zhvillohet në këtë ditë në Spanjë, u lexuan pjesë nga libri me famë botërore i Servantesit. Leximin e hapi shkrimtari Kongoli, më pas fituesi i çmimit ‘Don Kishoti’, gazetari Agim Baçi, si dhe shumë të ftuar të tjerë, mes të cilëve rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, Drejtori i TKOB-it, Zhani Ciko, Drejtori i Teatrit Kombëtar, Kristaq Skrami, si dhe studentë të degës së spanjishtes.
Konkursi për çmimin ‘Don Kishoti’ u hap në 2 prill nga Ambasada Spanjolle në Tiranë. Në të u ftuan të merrnin pjesë të gjithë qytetarët shqiptarë mbi 16 vjeç, duke paraqitur vetëm një punim për autor. Veprat e paraqitura duhej të ishin origjinale dhe të pabotuara, të shkruara në shqip dhe të mos ishin vlerësuar në asnjë konkurs tjetër. Veprat maksimumi duhej të ishin me pesë faqe, në format A4. Përmbajtja e punimeve duhej të ishte mbi ndonjë personazh, episod apo element që gjendej në veprën "Don Kishoti i Mançes", i Miguel de Servantesit ose t'i referohej kësaj vepre.