Ujka: Ndoka mund ta ketë mbaruar të lartën, po s’ka dëftesë nga shkolla e mesme
Bushati
Ndërkohë, kundër shkarkimit të Ujkës ka dalë dje dhe Sekretari i Përgjithshëm i PDK, Zef Bushati. Në një prononcim për median Bushati u shpreh, se nuk mund të shkarkohet një kryetar i grupit parlamentar vetëm me vendim të kryetarit, ndërkohë që paralajmëroi, se mund të ketë lëvizje të tjera brenda PDK. Duket se tashmë, që pas ikjes së Nikollë Lesit nga grupi parlamentar i PDK, ka lëvizje të tjera brenda këtij kampi. Grupi parlamentar, i mbledhur me deputetë të partive të tjera, nuk i ka më numrat për të ekzistuar si i tillë. Me ikjen e Ujkës, këtij grupi i kanë mbetur vetëm 6 deputetë, e pamjaftueshme për një forcë politike. Nga ana tjetër, demokristianët mund të dalin me një lëvizje tjetër politike, e cila do ketë si synim ndarjen e elektoratit, gjë e cila do ta dëmtonte shumë këtë forcë politike. Në krye të saj janë vënë tashmë Nikollë Lesi, ish-kryetar i partisë, Pashko Ujka, ish-kryetar i grupit parlamentar të PDK dhe Zef Bushati, aktualisht nënkryetar i kësaj partie. Lesi dhe Ujka e treguan kundërshtinë e tyre ndaj kryetarit dhe në seancën kur u votuan amendimet në Kushtetutë për sistemin zgjedhor. Lesi kërkoi largimin e ministrave pa përfaqësim me urgjencë nga qeveria, mes tyre dhe kryetarin Ndoka, ndërsa Ujka, megjithëse kryetar i grupit parlamentar të PDK, e cilësoi këtë grupim si një mjet presioni ndaj qeverisë për interesa personale.