E Diel, 1 Nëntor 2026

Pagat dhe pensionet do të indeksohen të gjitha në bazë të normës së inflacionit

Të gjitha pagat dhe pensionet do të indeksohen me vlerën e normës së inflacionit apo të rritjes së çmimeve. Zyrtarë të Ministrisë së Financave thanë dje se është rënë dakord që të gjitha pagat dhe pensionet, veç rritjes prej 15-20 % të parashikuar që në fillim të këtij viti do të indeksohen, domethënë do të rriten edhe aq sa është rritja e kostos së jetës. Kostoja e jetës është një tregues i qartë që matet me indeksin e çmimeve të konsumit, nga i cili del edhe vlera e inflacionit. Siç dihet, vlera e inflacionit në muajin që kaloi arriti në 4.6 për qind, duke kaluar nivelin maksimal të parashikimit prej 4 përqindësh. Edhe kryetari i komisionit parlamentar për Ekonominë tha dje se, indeksimi i pagave do të bëhet në vlerë të plotë me normën e inflacionit. Kryetari i komisionit parlamentar për Ekonominë fajësoi plotësisht rënien e dollarit dhe rritjen e çmimit të drithërave për inflacionin e rritur në Shqipëri, duke thënë se një pjesë të madhe të nevojave tona në produkte, lëndë të para dhe shërbime i sigurojmë nga importi. E paqartë mbetet se si qeveria shqiptare do të kompensojë për rritjen e çmimeve të gjitha familjet që nuk kanë punonjës në sektorin buxhetor apo nuk kanë pensionistë. Zyrtarë të Ministrisë së Financave thanë se po shqyrtohet mundësia që edhe vlera e parave që merr një familje me përkrahje sociale të mund të indeksohet në bazë të normës së inflacionit. Rritja e çmimeve krahasuar me fundin e vitit të shkuar ka kapur një vlerë që luhatet mes 17 dhe 18 përqindëve, thonë specialistë të Ministrisë së Financave. Kjo vlerë e rritur e çmimeve bën që një pjesë e madhe e familjeve shqiptare të vihen në vështirësi të mëdha dhe një pjesë tjetër, e cila ishte në limitet e varfërisë, ta kalojë këtë cak dhe të përfshihet nga varfëria. I tërë fondi i caktuar për rritjen e pagave shkon deri në pesëdhjetë milionë dollarë, ndërsa fondi që do të përdoret për kompensimin e çmimeve ende nuk është përcaktuar. Zyrtarë të ministrisë flasin për një vlerë që mund të shkojë deri në 15 milionë dollarë. Kjo vlerë, sigurisht që është e pamjaftueshme për të mbuluar rritjen e çmimeve, megjithatë kjo është një përpjekje shumë e mirë dhe që pranon se vendi ka nevojë për politika që të mpakin efektin e krizës së çmimeve. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë ishte i drejtpërdrejtë dhe foli për zgjidhje që janë më afatgjata dhe që kanë të bëjnë me rritjen e prodhimit vendas.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›