E Diel, 1 Nëntor 2026

OKB: SHBA dhe Britania, kundër zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania i kanë kërkuar të hënën Serbisë që ta tërheqë vendimin e saj për të mbajtur zgjedhjet lokale në enklavat serbe në Kosovë.

Duke folur pas takimit të Këshillit të Sigurimit, ku kanë marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetari serb, Boris Tadiç, ambasadori amerikan në KB, Zalmay Khalilzad, ka thënë se “mbajtja e zgjedhjeve lokale serbe nuk do të ishte e dobishme”.

Edhe ambasadori i Britanisë në KB, John Sawers, ishte i mendimit të njëjtë me kolegun e tij amerikan, duke thënë se mbajtja e zgjedhjeve në baza etnike “do të ishte përçarëse dhe e padobishme”.

Dhe shefi i UNMIK, Joachim Ruecker, ka thënë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit – që është mbajtur prapa dyerve të mbyllura – se mbajtja e zgjedhjeve lokale do të përbënte shkelje të Rezolutës 1244, sipas së cilës UNMIK vepron në Kosovë.

Ambasadori rus, Vitaly Churkin, ndërkaq, si edhe më parë, ia ka mbajtur krahun palës serbe, duke thënë se zgjedhjet lokale serbe duhet të mbahen në Kosovë.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi e ka bërë të qartë se Kosova tash është shtet sovran. Ai ka thënë se qeveria e Kosovës respekton dyshtetësinë për qytetarët serbë të Kosovës, duke lënë të kuptohet se nuk do të kundërshtojë mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare të Serbisë, të planifikuara për 11 maj. Mirëpo ai ka shtuar se zgjedhjet lokale do të ishin jo të vlefshme. Khalilzad dhe Sawers po ashtu kanë vlerësuar se njohja e pavarësisë së Kosovës po rrjedh ngadalë, mirëpo po ecën dhe kanë shtuar se për 64 ditë Kosovën e kanë njohur 37 shtete.

SHBA dhe Britania kanë përshëndetur qëndrimet e Prishtinës dhe Beogradit që të përmbahen nga dhuna, duke pohuar se Rezoluta 1244 mbetet në fuqi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›