Gazetari shqiptar kërcënohet nga nazistët dhe dëbohet nga Greqia
Niko Ago, një emigrant nga Shqipëria që ka ndërtuar jetën e tij në Greqi, duke u aktivizuar në jetën shoqërore dhe politike të këtij vendi, është urdhëruar të largohet nga Greqia brenda një muaji, për arsye që vetë Ago nuk i kupton. Në një intervistë për gazetën Shqip, gazetari dhe anëtari i Bordit Drejtues të Bashkimit Grek për të Drejtat e Njeriut tregon se përpara dëbimit nga autoritetet greke, ai dhe familja e tij janë kërcënuar nga neonazistët e partisë Agimi i Artë (Hrisi Avgji), të cilët tashmë janë pjesë e Parlamentit grek.
Së pari, dua të theksoj se ky urdhër vjen pas një vale të fortë kërcënimesh ndaj meje nga ekstremistët e djathtë grekë, pasi isha gazetari që në mënyrë ekskluzive publikova lajmin që zëdhënësi i shtypit të ekstremistëve të djathtë, i neonazistëve grekë që hynë në Parlament, ndiqet penalisht i akuzuar për vjedhje për armëmbajtje pa leje dhe për përdorim arme pa leje. Pas kësaj, ishin me dhjetëra dhe me qindra kërcënime personale ndaj meje dhe familjes sime, të cilat i bëra publike dhe të njohura për autoritetet greke.
Ka një solidaritet unanim dhe të gjithanshëm. Unioni i Gazetarëve të Greqisë ka nxjerrë notë proteste drejtuar Kryeministrit, ministrit të Brendshëm dhe atij të Rendit, ku ndër të tjera, për të nderuar kontributin tim në mediat greke, kërkohet të më jepet nënshtetësia greke, thotë Ago.
Në momentet që po flasim kam oferta nga disa shtete europiane për të marrë nënshtetësinë e tyre pas ngjarjes dhe bujës së shkaktuar me rastin tim. Por pas 21 vjetësh qëndrimi në Greqi, duke qenë se dy fëmijët e mi të moshës 18.5 dhe 17.5 vjeçe studiojnë këtu, janë të integruara tërësisht, profesioni dhe aktiviteti im në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut është e lidhur tërësisht me këtë vend, por dhe besimi se në rastin konkret është shkelur ligji, më bëjnë të besoj se e ardhmja ime edhe pas datës 18 qershor 2012 është e lidhur me Greqinë, vijon ai.