Gazetaria jonë ka nevojë të bëjë “provimin e ndërgjegjes” Nga Fatbardha Demi Në dy artikujt e Fatos Lubonjës “Liri e medies apo liri e shprehjes” dhe “Gazetarë apo topçinj llogoresh”, autori del në përfundimin që, në vendin tonë, gazetat dhe mediet j
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Gazetaria jonë ka nevojë të bëjë “provimin e ndërgjegjes” Nga Fatbardha DemiNë dy artikujt e Fatos Lubonjës “Liri e medies apo liri e shprehjes” dhe “Gazetarë apo topçinj llogoresh”, autori del në përfundimin që, në vendin tonë, gazetat dhe mediet janë në shërbim të interesave të klasës politike dhe rretheve të caktuara ekonomike dhe se gazetarët shërbejnë “në funksion të interesit të një pjese (partie) dhe jo në funksion të interesit publik”. Media në Shqipëri, sipas autorit, është një nga shtyllat e korrupsionit (regjim mediatik) që është shtypës i lirisë së shprehjes.
Po të vijonim sipas këtyre përfundimeve, do të thoshim se media në vendin tonë, për rrjedhojë, ka një rol jodemokratik, por regresiv, antidemokratik dhe antikombëtar, dhe puna më e mirë do të ishte ta mbyllim, duke e cilësuar, siç e thërriste S. Berisha, “media mafioze”.
Por, a është ky një përcaktim i saktë për një nga mjetet kryesore të formimit të opinionit publik? Kush do ta zëvendësonte rolin e medies për të dhënë vërtetësinë e ngjarjeve, për të ushqyer opinionin me ide demokratike dhe për ta ndërgjegjësuar për rolin që ka në ndërtimin e së ardhmes? Në mos në media, ku do ta ushtronin intelektualët rolin e tyre drejtues? Në të dy artikujt nuk pamë ndonjë rrugëzgjidhje.
Të gjithë e dimë se opinioni publik nuk lind bashkë me njeriun, por ushqehet gjatë procesit të formimit të tij, ku media dhe shkollimi zënë një nga rolet kryesore. Është e vërtetë që media shqiptare e çan rrugën e saj në kushte shumë më të vështira sesa simotrat e saj në Evropë. Por edhe në vendet më të fuqishme evropiane, media nuk i ka shpëtuar dot përdorimit të saj nga ana e forcave të ndryshme politike dhe ekonomike. Madje fillesat e gazetave lidhen pikërisht me interesat e prodhuesve.
Në ditët e sotme, rasti i manjatit mediatik, kryeministrit Berluskoni, është shprehje e qartë e kësaj dukurie. Historikisht, vetëm kur mediet u financuan nga korporatat e fuqishme me kapital ndërkombëtar, që nuk ishin dhe aq të lidhura me interesat e ngushta të politikës së një vendi, vetëm atëherë ato patën një frymëmarrje më të gjerë dhe fituan më shumë “lirinë e shprehjes”. Kjo nuk mohon faktin e aktivitetit edhe të medieve të pavarura. Media ka nevojë për burime financiare, gjë që dikton vartësinë e saj prej tyre. Politika, në fund të fundit, është shprehje e interesave ekonomike, ku përfshihet edhe korrupsioni. Kjo anë është njëra faqe reale e problemit, të cilin autori na e ka paraqitur në shkrimet e tij. Ajo që nuk është trajtuar, por përkundrazi është fshehur, është roli i gazetarit si individ dhe si intelektual.
“Unë kam arritur të kuptoj, - pohon poeti Stephen Spender (1978), - se ajo që ne e quajmë liri e individit, nuk është privilegji i një intelektuali për të shkruar atë që i pëlqen të shkruajë, por për të qenë një zë, që mund t’u flasë atyre që rrinë të heshtur”. (f. 22, T. Maldonado, “Che cos”è un intelletuale?”)
Nuk është e mundur që për një grup aq të ndryshëm profesionistësh dhe ushtruesish të këtij profesioni, të presësh vetëm një masë këmishe. Po kështu do të thosha edhe për medien. Fakti që shkrimet e F. Lubonjës botohen në medien e të dy krahëve politikë apo edhe të përfaqësuesve të biznesit, është tregues se në këto media punojnë intelektuale, që luftojnë të fusin në medien ku punojnë mendimin kritik, edhe në kundërshtim me politikat editoriale. Niveli i ulët i konsumit të shtypit dhe medies elektronike shqiptare e bën më të vështirë punën e punonjësve të saj. Në shumicën e rasteve, gazetarët jetojnë me të ardhurat e punës së tyre, fakt që i kushtëzon ata në ushtrimin e profesionit. E me gjithë këtë, ishte media shqiptare, e cila krahas shtëpive botuese, u bë faktori kryesor për të ndërgjegjësuar shqiptarët për të drejtat e tyre dhe hodhi rrënjët e para për një shoqëri demokratike.
Që nga viti 1990 e deri në ditët e sotme, skandalet e korrupsionit të partive, që kanë zëvendësuar në postet qeveritare njëra-tjetrën, nuk janë reshtur së pasqyruari prej saj. Në faqet e medies u pasqyrua tragjedia e vitit ‘97 dhe me forcë ajo ngriti zërin për të dënuar fajtorët e njohur nga të gjithë. Ishte media që pasqyroi se si opozita demokratike e vitit më të përgjakshëm për kombin shqiptar, i spastrimit etnik serb (1998-‘99) refuzonte edhe simbolikisht të merrte pjesë në punimet e Kuvendit. Ishte media që ka zbuluar skenarët e fshehtë të politikës (të të dy poleve), ku është shkelur sovraniteti i shtetit tonë, siç ishte rasti i Kosinës apo i varrezave greke.
Po në media kemi mësuar se si shkatërrohet pasuria natyrore, kulturore dhe historike e vendit tonë, dhe ku shteti dhe institucionet përkatëse nuk bëjnë detyrën, për të cilën paguhen. Në media kemi marrë vesh për shumat marramendëse të zhdukura, që Kontrolli i Shtetit çdo vit i raporton në Kuvend. Ishte po media që na njohu edhe me Marrëveshjen mbi kufijtë ujorë, për të cilën nuk kish nevojë të informohesh, jo vetëm populli, por as deputetët në parlament, dhe ku me gjithë sigurinë e zv/kryeministrit se qenka në dobi tonë, faktet flasin të kundërtën.
Është me të vërtetë e habitshme që të gjitha faktet e lartpërmendura t’i përkufizojmë si “shantazhe për politikën” apo “për t’i shërbyer asaj”.
Janë më se të mirëpritura programet televizive “Fiks Fare”, “Xhungël”, “Shqip”, apo programi shumë profesional i ditës së hënë i gazetarit Andi Bushati, apo Sokol Ballës, si dhe shumë gazetarëve të tjerë.
A është shfrytëzuar media për interesa partiake dhe të subjekteve të biznesit? Sigurisht që po, dhe për këtë janë paguar dhe shpërblyer gazetarët. Ca për bindjet e tyre, por shumica për interesat e tyre financiare apo kredo politike (për një vend të kënaqshëm pune).
Por lexuesit dhe shikuesit mund të dallojnë qartë në shkrimet e tyre qëllimin që i kanë vënë vetes. Ka pasur raste që janë botuar edhe shkrime me një qëllim të hapur antikombëtar, në dëm të interesave, jo vetëm të vendit tonë, por edhe të demokracisë. Ka shkrime ku denigrohen figurat tona kombëtare dhe lufta për liri kundër pushtuesve apo shovinizmit është pasqyruar si një luftë midis nacionalizmave ballkanike.
Duke lexuar pikërisht një nga gazetat më popullore të viteve të para të demokracisë, “Koha Jonë” (qershor ‘98), lexova me habi komentin “Të gjithë në fushë” të F. Çupit.
“Kosova sot i ngjan një dite mortore, që e mbledh tërë familjen në shtëpi. Shqiptarët, me rastin e vrasjes së Kosovës, kanë zbritur të gjithë në fushë. Po kush ka rrëmbyer armët për të luftuar kundër dhunës serbe? Kanë zbritur nacionalistët e rremë. Këta e quajnë veten shqiptarë të thellë, por në fakt janë qytetarët më të cektë të botës… Kanë zbritur në fushë mashtruesit. Këta, ose janë bërë anëtarë të UÇK, ose janë fëmijë naivë që për pesë minuta lënë jetën e tyre “për Kosovën”... Në fushë kanë zbritur mafiozët… Në fushën e Kosovës ka zbritur edhe Berisha me shokë, që shkaktuan tragjedinë më të madhe ndaj shqiptarëve vitin e kaluar…”. Vihesh në mëdyshje. Autori ka dashur të denoncojë ata që vinin nga bota e krimit dhe e politikës së korruptuar, për të cilët fjala “komb” nuk kishte asnjë kuptim? Apo se Lufta e Kosovës nuk u bë në emër të “shqiptarizmës” për të shmangur spastrimin etnik dhe për të cilën u derdh jo pak gjak?
Por artikulli “Dy viktimat” (korrik ‘98) i po këtij autori, na sqaron se “shqiptarët (që i kanë prindërit shqiptaro-serbë) dhe serbët (që i kanë prindërit serbo-shqiptarë) janë një pjesë e shkaktarëve të tragjedisë së tyre, kjo nuk ka dyshim”.
Ky trajtim, ku fshihet tërësisht thelbi i luftës së shqiptarëve të Kosovës dhe ku të vdekurit e pafajshëm bashkëfajësohen me turmat e kriminelëve serbë, shërben pikërisht për të fshirë nga ndërgjegjja e lexuesve çështjen e identitetit kombëtar, “shqiptarizmën”, sepse edhe prindërit i kemi të trazuar, pra nuk bëhet fjalë për ndonjë komb të robëruar apo spastrim etnik.
Por faktet historike flasin ndryshe. Shteti serb i Millosheviçit vuri në zbatim plane të qarta ushtarake, të bekuara edhe nga kisha serbe për të bërë spastrim etnik, fillimisht në pjesën veriore të Kosovës, në fazën e dytë në pjesën qendrore (Drenicën dhe rajonet përreth), dhe në fazën e tretë të përfundonte në gjithë territorin e saj. Fakt i vërejtur edhe nga media, si dhe studiues të huaj. Historiania A. Thiesse vëren se, “zhvendosja në masë e popullsisë për të bërë që të përputhet kombi me shtetin, është përdorur në rimarrje të shumta në historinë evropiane të shek. 20, shembulli i fundit tragjik i radhës është “spastrimi etnik” në Jugosllavi” (f. 295, A. M. Thiesse, “Krijimi i identiteteve kombëtare”)
Një dëshmi e qartë e shfrytëzimit të medies si mjet i luftës psikologjike antikombëtare është fushata kundër “identitetit kombëtar” dhe “shqiptarizmës” pa u mbështetur në faktet historike të popullit tonë. Duke e ngushtuar spektrin e analizës vetëm në ngjarjet e shek. 19-20 bëhen përgjithësime për historinë mijëravjeçare të arbërorëve. Denigrimi i figurave më të shquara të kombit, ishte pjesë përbërëse e kësaj fushate.
Në media, ashtu si në çdo fushë tjetër të jetës shoqërore (ndoshta edhe më shumë se në fushat e tjera), ka ndeshje mendimesh, idesh, karakteresh: përparimtar, kombëtar, demokratik dhe antikombëtar, antidemokratik dhe regresiv. Barazimi i kësaj ndeshjeje me “luftën për pushtet” është goditja më e dëmshme që i bëhet këtij mjeti publik, nga më demokratikët për shoqërinë njerëzore.
Shprehja më e qartë e kësaj lufte është dhuna fizike, financiare, mediatike, shtetërore dhe psikologjike që i bëhet për ta gjunjëzuar, jo gazetën, por intelektualin që punon në të. Me anën e këtij pohimi të F. Lubonjës harrohet etika profesionale e gazetarit.
Në vigjilje të ikjes nga gazeta “Voce” më 21 mars 1994 Indro Montanelli shkruante: “Do të jemi sigurisht në opozitë. Një opozitë e qartë, e fortë, edhe kur fiton njëri, edhe kur fiton tjetri. Vështirësia do të jetë për t’u dalluar nga opozita tjetër (e tij si gazetar nga ajo partiake-shënimi im). Në rast se fiton e djathta, ne sigurisht do të bëjmë opozitarin, por duke u përpjekur të distancohemi nga ajo që do të bëjnë të majtët. Në rast se do të fitojë e majta, ne përsëri do të bëjmë një opozitë të vendosur, duke u përpjekur për t’u distancuar nga ajo që do të bëjnë njerëzit e së ashtuquajturës e djathta. (Corriere della Sera”, 21 mars 1994), (f. 26, Marco Travaglio, “La scomparsa dei fatti”)
Akuza që i bëhet medies, se “me gjysmë të vërtetat” e saj ndikon në mefshtësinë e organeve gjyqësore, është me të vërtetë shumë naive. Organet gjyqësore, sipas Kushtetutës sonë, janë një organizëm i pavarur. Kjo është edhe një normë e kërkuar nga BE dhe domosdoshmëri për një shoqëri demokratike. Edhe në shumë vende të botës, media shpesh jep fakte nëpërmjet shkrimeve të saj mbi krime të ndryshme, por sidomos të përfaqësuesve të shtetit. Kjo është një nga detyrat më të rëndësishme, por edhe më të vështira të gazetarisë dhe përbën gazetarinë hetuese. Në rast se gjyqësori ynë është i mefshtë në gjykimin e çështjeve flagrante të viteve të fundit, siç është çështja e Gërdecit, apo rrugës Durrës-Morinë, apo mbylljes, apo harresës së shkeljeve të sovranitetit dhe identitetit kombëtar nga individë apo shtete të tjera, kjo vjen, jo për faj të medies, e cila ia ka bërë të njohura ato popullit, por për shkak të papërgjegjshmërisë së politikanëve dhe vënies në shërbim për interesa personale të këtij organi. Në rast se një gazetar nxjerr në shesh një shkelje të çfarëdo natyre qoftë, për ta demaskuar atë, ai kryen me ndershmëri misionin e tij. Shpesh dëgjojmë me habi se si akuzohen gazetarët se, më përpara kanë kritikuar partitë që sot janë në opozitë dhe tani janë bërë mbështetës të tyre.
Rreshtimi i partive dhe pasuesve të tyre përballë njëra-tjetrës si dy kampe armike, është një konceptim i gabuar i lojës politike në shtetet demokratike. Pavarësisht mëkateve, secila parti, kur ka ardhur në pushtet, ka pasur edhe arritje. Edhe përgjegjësia në zgjidhjen e problemeve të vendit bie po mbi partitë, pavarësisht se janë në pozitë apo opozitë. Politikani francez François Bayrou, kur Segolen Royal humbi në zgjedhjet presidenciale të vitit 2007 shprehet: “Demokracia nuk është një punë vetëm e atyre që kanë fituar; ata që nuk kanë fituar, kanë gjithashtu për të luajtur rolin e tyre në modernizimin dhe ekuilibrin e Francës…E vërteta është se kush ka fituar dhe ata që nuk kanë fituar, megjithëse nuk e kuptojnë, janë përgjegjës për të ardhmen e vendit”.
Prandaj nuk mund të fajësohen gazetarët “se i ndërrojnë llogoret”, kur faktet e paraqitura prej tyre demaskojnë forcat e ndryshme të politikës. Koalicioni i sotëm qeveritar tregon qartë, se “llogoret” e partive janë më së shumti llogore për karrige, dhe jo të ideve apo programeve të tyre.
Nuk ka rëndësi se këtë veprim gazetari e bën në fillim, në mes apo në fund të karrierës së tij. Nuk ka rëndësi në rast se më përpara nuk e kanë pasur këtë natyrë shkrimet e tij apo këto shkrime po shfrytëzohen në luftën për pushtet nga partia në opozitë. Rëndësi ka që këto shkrime t’ua bëjnë të njohura opinionit publik faktet e vërteta. Në rast se shkrimet e tij sot nxjerrin në shesh “të palarat” e partisë në pushtet, nesër ai do të nxjerrë “demagogjinë” e partisë që sot është opozitare. Ky është profesioni i gazetarisë, dhe jo “besnikëria” ndaj partive.
Detyra e gazetarit është pikërisht ajo e faktimit të shkeljeve të pushtetit, pavarësisht se kush parti e bën.
I vetmi etiketim që mund t’i bëhet punës së punonjësit të medies është se sa i ka qëndruar besnik faktit të paraqitur, d.m.th., sa i vërtetë është ai. Kërkesa që gazetari të mos paraqesë vetëm një fakt, por “të gjitha që ka shoqëria jonë”, është sa e parealizueshme, po aq dhe naive. As personeli i një gjykate apo hetuesie nuk do të kish mundësi të bënte një “pastrim” të tillë të një shoqërie. Për këtë duhen përpjekjet e familjes, shkollës, intelektualeve, partive, organeve të pushtetit, d.m.th., e të gjithë shoqërisë. Por për këtë është e domosdoshme puna e çdo individi, sado simbolike që të jetë ajo. Pikërisht puna e gazetarit Mero Baze dhe jo vetëm e tij, por edhe e shumë gazetarëve të tjerë, duhet vlerësuar si një kontribut i vlefshëm për demokracinë dhe ardhmërinë e kombit tonë.
Shtrirja e fajësisë nga emra të përveçëm, në fajtorë pa emër, “sistemi”, është një nga shprehjet më tipike të gazetarisë në shërbim të klasës politike në fuqi. Faktet e shumta të korrupsionit, të kriminalitetit, të nepotizmit dhe dukurive të tjera të dënueshme, gjithmonë janë vepra të individëve apo të një grupi personash, qofshin këta edhe me lidhje familjare. Duke goditur fajtorët me emra realë, nëpërmjet sistemit gjyqësor, por edhe demaskimit të veprimtarisë së tyre në media, garantohet besueshmëria për të ardhmen dhe zbatimi i ligjit.
Përdorimi i fajtorit kolektiv (“sistemit”) apo dënimi i “bedelëve” është një mënyrë për të mos dënuar fajtorin e vërtetë.
Por jam dakord, se në medie vërehen dukuritë e sipërpërmendura nga F. Lubonja, por jo për t’i përgjithësuar. Është media, që në faqet e saj ka raste që përhap dije jo të sakta për rolin e gazetarit dhe dënon pikërisht ata që kanë kurajën të hetojnë dhe të nxjerrin në shesh faktet kompromentuese. Në raste të tilla ajo (këtu flas jo për të gjithë medien), dëmton opinionin qytetar, demokracinë, ekonominë dhe interesat kombëtare.
Gjithashtu është e vërtetë që media jonë vuan nga shumë sëmundje, duke filluar që nga gjuha që përdor. Nga goja e raportuesve të lajmit nuk shqitet kurrë fjala “eveniment”, kur kemi fjalën e bukur shqipe “ngjarje”. Janë me dhjetëra fjalë të huaja që sakatojnë gjuhën shqipe nga punonjësit e medies. Faqet e shtypit dhe të emisioneve, në pjesën më të madhe, i zënë turfullimat e politikanëve dhe jo komentet e analistëve apo specialistëve përkatës për ngjarjet e ditës. Kur shikon programet televizive, të krijohet bindja se në Shqipëri ka një mungese të theksuar të tyre, ngaqë në çdo kanal shikojmë të njëjtat fytyra për probleme nga më të ndryshme. Në debatet për probleme të rëndësishme, ku marrin pjesë analistë me mendime të ndryshme apo politikanë jo të së njëjtës ngjyrë, sundon ajo që studiuesi Tomas Maldonado e ka emërtuar “sindroma e Stentores”. Pjesëmarrësit në diskutim nuk përdorin debatin e fakteve, por duan ta sundojnë bisedën me ngritjen e zërit dhe moslënies së vazhdimit të fjalës së tjetrit. “Zëri i lartë nuk është vetëm një dhunë (akustike) mbi të tjerët. Zakonisht, ai hap rrugën për shpërthimin e dhunës me fjalë që shprehin ofendime, sharje, fyerje ndaj të gjithë atyre që mendojnë (ose që ai kujton se mendojnë) ndryshe. Përfundimi është, përdorimi i gjesteve dhe fjalëve pa censurë (të
pahijshme-shënimi-im) …sjellja e tij është ajo e një terroristi të shprehjes”.( f. 89, T. Maldonado, “Che cos’è un intelletuale?”) Gazetaria jonë, ashtu si çdo gazetari në vendet demokratike, ka nevojë për “provimin e ndërgjegjes” siç e emërtoi Idro Montanelli. Por jo “me gjysmë të vërtetat “e dy artikujve të sipërpërmendur, të cilët japin një mesazh jo të saktë për gazetarinë hetuese dhe në përgjithësimet mbi rolin e gazetarit dhe të medies.