E Diel, 1 Nëntor 2026

Gazetarja kroate fiton çmimin e parë për Bursën Ballkanike të Gazetarisë

Berlin, 9 dhjetor NOA Bursa Ballkanike e Gazetarisë u dha këtë vit për gazetaren kroate Maja Hrgovic, 29-vjeçe.

Ceremonia e cila u zhvillua në Berlin i dha çmimin e parë për  Bursën Ballkanike për Ekselencë në Gazetari të këtij viti, gazetares kroate me shkrimin e saj Kur gratë shkojnë në Perëndim, çmimin e paguajnë familjet.

Anëtarët e komisionit përzgjedhës vlerësuan kualitetin e raportimit të Maja Hrgovic dhe në veçanti cilësinë e kërkimit të saj ndërkombëtar mbi një fenomen që u cilësua si i rëndësishëm për rajonin dhe Evropën në tërësi.

Maja Hrgovic, një gazetare kulture për gazetën Kroate Novi List, merr një çmim prej 4000 eurosh. 

Çmimi u prezantua në një ceremoni në Berlin, organizuar nga Robert Bosch Stiftung me pjesëmarrjen e të dhjetë gazetarëve që morën pjesë këtë vit në Bursën Ballkanike për Ekselencë në Gazetari. 

Vendi i dytë, me një çmim prej 3000 eurosh, iu dha Momir Turudic, për artikullin e tij Gjermania është ëndërr për romët e Serbisë, ndërsa Yana Buher Tavarnier, u përzgjodh e treta me një çmim prej 1000 euro për artikullin Institucionet mbesin depo për njerëzit e harruar. 

Këtë vit pjesëmarrësit trajtuan temën e identitetit nga shumë kënde të ndryshme, duke hulumtuar peizazhin kriminal, social, ekonomik, fetar dhe ekonomik të Ballkanit. 

Identiteti: Kërkimi për Rrënjë në një Evropë në Ndryshim, do të shpërndahet në prezantime në të gjithë Evropën Juglindore dhe do të jetë i aksesueshëm online.

Programi i bursës, i iniciuar nga Robert Bosch Stiftung dhe ERSTE Foundation, në bashkëpunim me Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Investigative, BIRN, i përgjigjet me mbështetje financiare dhe profesionale nevojës në rritje në rajon për raportim cilësor dhe të thellë për çështje komplekse që janë qendrore për rajonin dhe për Bashkimin Evropian.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›