E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rilindësi Koto Hoxhi sipas shypit të viteve '20-'30

Me rastin e 185-vjetorit të lindjes


Veprimtar i Rilindjes Kombëtare i arsimit dhe i kulturës shqiptare, Koto Hoxhi, është përkujtuar meritueshëm në shtypin e shqiptar të viteve '20-'30 të shekullit XX, nga emra në zë të kulturës shqiptare të kohës.


I pari i hasur prej nesh me shkrimin e tij botuar në gazetën Rilindja shqiptare (Tiranë 28.9.1925) është Nuçi Naçi, nga të fundit rilindës që shkrinë jetën për çështjen kombëtare, sidomos në fushë të arsimit kombëtar.


Sipas të dhënave që ai ka marrë nga i biri i Kotos, Jankoja në Korçë, Kotua, sipas programit zyrtar të shkollës ka dhënë mësim greqisht në shkollën e fshatit të lindjes në Qestorat (Gjirokastër), po njëkohësisht edhe shqip, në fshehtësinë e rrezikshme kohës. Naçi na thotë se Kotua shkoi në Stamboll ku punoi "si tregtar dhe bëri pasuri të mirë që do t'i premtonte të jetonte i qetë në katundin e vetë po të mos ish përzjerë në lëvizjen kombëtare që nisi në Stamboll më 1879".


Atje zhvilloi një veprimtari të gjallë politike për zbatimin e programit të Shoqërisë së Stambollit, konkretisht për çështjen e caktimit të alfabetit të gjuhës shqipe, ashtu edhe për hartimin dhe botimin Alfabetares së Stambollit më 1879. Më tej, Naçi na jep të dhëna për veprimtarinë në fushë të arsimit shqip dhe për krijimtarinë e tij. Na e përmend si një nga themeluesit e teatrit shqiptar me pjesën teatrale Dasma Lunxhote(1874).


I dyti që e kujton rilindësin është publicisti dhe shkrimtari Xhevat Kallajxhi, i cili asokohe botonte dhe drejtonte gazetën Demokratia (Gjirokastër). Për shkrimin e tij (28 maj 1932), ai merr shkas nga pelegrinazhi në varrin e Koto Hoxhit në Qestorat të ndërmarrë nga anëtarët e Klubit të arsimtarëve, që udhëhiqej nga Safet Butka, drejtor i shkollës normale të Gjirokastrës, më 21 maj 1932, ditën e Shën Kostandinit, pra në ditën e emrit të Koto Hoxhit.


Më tutje Kallajxhiu na thotë se të 17 arsimtarët e Gjirokastrës (ku bënte pjesë edhe ai së bashku me intelektualin e njohur Vangjel Koça), u pritën nga "një tok burra e gra dhe nxënësit e shkollës, për të marrë pjesë në përshpirtjen që do të bëhej për kujtim të Koto Hoxhit.


Shkuam edhe në kishë, shton Kallajxhiu, të pritur nga Zonja Dr. Vito Zografo, mbesa e Koto Hoxhit dhe djali i saj zoti Kristaq. Në krye të kishës ishte vënë një kurorë e madhe dhe e bukur e dërguar nga shkolla femërore e Gjirokastrës "Koto Hoxhi" dhe një tjetër nga shkolla normale e Gjirokastrës.


Nxënësi Sofokli Papavasili, një djalë i zgjuar dhe që jep shpresa për t'arthmen, deklamoi, me një zë të qëruar e të prekshëm, vjershën "Indipendenca". "Fjalimet e sipërme u mallëngjyen të gjithë...Nga kisha shkuam për një vizitë në shtëpinë e Zografajve, të ftuar nga ana e të zotë. U gostitëm me gliko llokume, raki, e kafe.


Kjo shtëpi është nga të parat në Qestorat dhe fisi Zografos është fis nobël dhe i njohur. Mbesa e Koto Hoxhit e nderçmja Zonja Zogë e shoqja e z.Dr.Vito, Zografos, na këndoi një tok vjersha të patriotit të vjetër."


Me këtë rast me iniciativën e Klubit të arsimtarëve u bë pastrimi i varrit nga ferrat e barishtet e egra që e kishin mbuluar në vite nga moskujdesja dhe shpejt u vendos një gur i gdhendur te koka e varrit: Koto Hoxhi (1824-1895).


Firma tjetër e rëndësishme që hasim në faqet e shtypit të kohës, është ajo e shkrimtarit ardhshëm Sterjo Spasse, (në atë kohë mësues në Dropull) botuar në revistën Normalisti 1934, me titull: Koto Hoxhi nji nga luftëtarët e Ferrit. Ai komenton me kënaqësi se Koto Hoxhi, kërkonte që "kombi të ngjallej, jo me zhurmë, jo me vrasje e me kundërshtime, por me mjeshtëri, d.m.th. me zotësi, me arsye e me urtësi.

Ai donte që pasunia e gjithë të shkrihej për arsim, por arsimi t'ishte thjesht shqiptar. Por nuk mjaftonte vetëm kaq: arsimi t'ishte edhe për meshkujt edhe për femrat se kështu dilte brezi, që andërronte zemra e madhe e Kotos. Gjithë jetën punoi për hapjen e shkollave shqipe.

Bashkëatdhetarët e tallshin për këtë andër, se ata donin për me zanë gjahun pa gjuejtun, mirëpo Kotua gjithmonë i frymëzuem me idealin e nacionalizmës, me buzën në gas u thoshte: "Nuk mbjell kripë, por mbjell farë"... E fati u duk sikur i qeshi gjetkë. Në Janinë po bahesh gati për hapjen e ni shkolle shqipe. Gjithë masat i kishte marrun, lejen e kishte nxjerrun, mirëpo ah kjo jetë! Vdiq pa pandehun në fshatin e tij lindor në Qestorat ku kishte shkue për të marrë një mikun e vetë të cilin e kishte emnue si mësues në shkollën e re shqipe të Janinës."


Një firmë tjetër e dalluar e kohës, Ismet Toto, bën një shkrim të rëndësishëm përkujtimor në revistën Yllyria Nr.42, 1936 (Tiranë), me rastin e përvjetorit të Mësonjëtores shqipe të Korçës. Toto shkruan: "Koto Hoxhi mirrte me vete nxënësit e normales dhe i mblidhte në shesh të fshatit ditët e diela duke përsëritur pa frik' e pa lodhje.


Duellën shumë mësonjës nga Normalja e Qestoratit. Mësonjës të gjuhës greke, grumbuj të përgatitur mjaft mirë për fshatrat e Epirit dhe të Maqedonisë. Shumica e tyre kanë qenë nacionalistë të flaktë grekë... Por aty këtu dilnin nga ajo fole nacionaliste dhe disa tipa të frymëzuar nga idheat e Koto Hoxhit.


Nacionalistë kanë qenë edhe ata të pakët porsi edhe shumica tjetër. Por me ndryshimin se ishin më fanatikë, përse luftonin për një idhe që asnjëri akoma nuk e besonte.Kështu duallën nga Normalja greke e Qestoratit një Pandeli Sotir,nga Selca e Lunxhit,drejtor i parë i shkollës së parë shqipe në Korçë në vitin 1887 dhe një Petro Luaras nga Luarasi i Kolonjës, i cili vazhdoi me hov e me guxim të pa thënë, veprën e të parit.."


Më në fund duam të përmendim me miradije edhe një punëtor tjetër të dalluar të kulturës sonë, shkrimtarin dhe publicistin Milto Sotir Gurra i cili ka shkruar për Koto Hoxhin në gazetën Bashkimi i Kombit në janar 1944 (Tiranë).


Ai merr shkas nga ajo që kishte bërë Safet Butka kur kishte qenë inspektor i arsimit në Tiranë (1935-1937) dhe që kishte pajisur shkollat e kryeqytetit për herë të parë me foto të disa patriotëve të Rilindjes.


Ai aty kishte parë dhe kishte zbuluar Koto Hoxhin. "Ty të intereson më sumë një portret, thotë në këtë shkrim Gurra, dhe t'a tërheq vëmendjen me këmbëngulje: Ky është një plak me një fytyrë të ëmbël dhe të lëruar në çdo pikë, me një ballë të gjerë, me një hundë që mbaron si sqep zogu, me sy të vegjël të futur e plot tregim e shkëlqim, me kollaro të fortë e krovatë të zezë dhe pyet: Cilli është ky apostull që ia keni vënë portretin e tij këtu në këtë galerinë e vogël të vepronjësve të shqiptarizmës?

Po edhe pa arrirë në veshin tuaj përgjigja, syri të shkon në fund të kornizës së portretit dhe këndon "Koto Hoxhi".
Shkrimin e tij M.Gurra e quan një skicë dhe premton se kur të ketë grumbulluar lëndën e nevojshme ai do të ketë deyrimin që bëjë një studim të plotë për Koto Hoxhin.


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›