Ilir Kerni, në punë për "Arrëthyesin"
Ka më shumë se një muaj, që koreografi dhe balerini Ilir Kerni, po punon në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit me trupën e balerinëve dhe nxënës të Shkollës së Mesme Koreografike për baletin "Arrëthyesi". 2 aktet e pjesës së baletit janë shkuar nga Ernst Hoffmann, kurse muzika është një krijim i rusit P. I. Çajkovskijt.
Premiera është më 13 dhjetor, ora 19.00, në Teatrin e Operës dhe do të vazhdojë të shfaqet edhe më 14, 15, 18 dhe 19 dhjetor. Interpretojnë solistët Enada Hoxha, Gerd Vaso, Ilir Kerni, Ledia Sulaj, Elton Merja, Evis Nallbani, Dion Gjinika, Fatjon Lito, Jonida Onuzi, Rovena Shqevi, Elona Dervishi, Adela Muçollari, Greta Hushi. Skenografia është e or Drausnik. Kostumet janë të Elva Bella-s. Drejton Orkestrën Simfonike të TKOB-së Petrika Afezolli
Romancë dashurie në teatër
Të shtunën dhe të dielën, ora 19.00, në Teatrin Kombëtar shfaqet komedia "Romancë dashurie", shkruar nga Aldo de Benedetti, me regji të Milto Kutalit. Interpretojnë Bujar Asqeriu, Roland Trebicka, Anila Bisha. As/regjisore Luljeta Hoxha. Skenograf Sabri Basha. Muzika Albana Petrela. Komedia është realizuar nga "Egnatia Teatër" në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar.
Parada e arieve dhe dueteve
Teatri i Operës dhe Baletit e fton publikun sot ora 18.00 në "Paradën e arieve dhe dueteve", një koncert i solistëve të TOB-it.
Marrin pjesë Marjana Leka, Irini Nikolla, Sidrit Bejleri, Sonila Baboçi, Ylber Gjini, Manjola Konjari, Eriona Gjyzeli, Shpresa Beka, Dorina Selimaj, Armando Likaj, Lindita Kola, Emiljana Palushaj, Erlind Zeraliu nën drejtimin e koncert maester-ve Lindita Kotorri, Donika Çili, Ardita Bufaj, Ingrid Pulizo.
Dobësia e Bolshevikut
Filmi dramatik i regjisorit Manuel Martin Cuenca shfaqet nesër, ora 19.00 në Kinemanë e Shkollës "Marubi" në kuadrin e të Premtes së Filmit Spanjoll. I mbështetur në romanin e Lorenzo Silvas, filmi trajton historinë e pazakontë të një biznesmeni të dështuar dhe një nxënëseje 14-vjeçare. Burri përtërihet dhe fillon të ndryshojë mendim për jetën e vet në momentin ku takohet me Marinë. Por miqësia e tyre kthehet në tragjedi.
"Dobësia e bolshevikut" (La Flaqueza del Bolchevique) mund të përshkruhej edhe si një lloj Lolite Spanjolle, por drama përshkohet edhe nga romancë e dëlirë që ndodh ndërmjet dy personazheve.Në rolet kryesore interpretojnë Luis Tosar, Mar Regueras, Maria Valverde.