E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmimet Kombëtare të Letërsisë, janarin e 2010-s

Kanë pësuar zhvendosje Çmimet Kombëtare të Letërsisë për vitin 2009. Konkursi i përvitshëm që organizon Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve do të mbahet javën fundit të janarit 2010 me qëllim që të mos mbeten jashtë gjykimit të jurisë edhe ato vepra që botohen deri në fund të vitit që po kalon.


Juria ka një ndryshim të vogël kësaj here. Zija Çela i cili mbulonte seksionin e prozës në veçanti është zëvendësuar nga Bardhyl Londo, ndërsa të tjerët janë të njëjtët: Mark Marku (kryetar), Parid Teferiçi, Mirela Kumbaro dhe Agron Gjekmarkaj.


Ajo do të vlerësojë cilat janë veprat më të mira të letërsisë dhe kulturës kombëtare, botuar gjatë vitit 2009, pasi të ketë shqyrtuar dhe zgjedhur nga prurjet e 120 shtëpive botuese shqiptare. Në gjykim merren vepra të botuara në mënyrë legale në territorin e Shqipërisë.


Çmimet që do të jepen janë: Çmimi Gjergj Fishta - autorit që me esenë e tij ka ndikuar në mënyrë të veçantë në mendimin kombëtar shqiptar; Çmimi Faik Konica - autorit që me anë të studimit ose kritikës ka ofruar zbulime ose interpretime bashkëkohore në fushën e kritikës letrare; Çmimi Fan Noli - për përkthim nga gjuha e huaj në shqipe.


Çmimi Mitrush Kuteli - për prozën e shkurtër; Çmimi Petro Marko - për romanin.
Çmimi Migjeni - i jepet autorit që ka mundur të përcjellë tek lexuesi modele të reja dhe një nivel të spikatur letrar; Çmimi Lasgush Poradeci - për vepër poetike; Çmimi Jusuf Vrioni - për përkthyesin në gjuhë të huaj; Çmimi At Donat Kurti - për shkrimtarin për fëmijë;
Ka edhe çmim karriere që deri para dy vitesh është identifikuar me emrin "Penda e Artë".


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›