E Diel, 1 Nëntor 2026

Gazi që kërcënon Skocinë

Flaka e cila po ndizet ende mbi platformën për nxjerrjen e naftës Elgin, në Detin e Veriut, dhe si pasojë e së cilës në platformë tash tre ditë po rrjedhë një gaz shpërthyes, i ka brengosur ekspertët. Ata kanë frikë flaka mund të shkaktojë një katastrofë me përmasa të paparashikueshme. Për shkak të një resë së madhe të gaztë, nga bregdeti skocez deri tani janë evakuuar 300 banorë.

Zëdhënësi i kompanisë së naftës Total, në pronësi të së cilës është edhe platforma në fjalë, pohon se reja e gaztë aktualisht po qëndron në një lartësi goxha më të ulët sesa flaka që ka shpërthyer në platformë – e cila ndodhet afro 240 kilometra larg qytetit skocez Aberdeen. Sipas fjalëve të zëdhënësit të Total, një flakadan është lënë i pashuar me rastin e evakuimit të personalit nga platforma, ditën e diel, ngase është parashikuar se ai do të shuhej vetë me kalimin e kohës.

Gazi që ka rrjedhë deri më tani po përhape mbi det dhe ka rrethuar gjithë platformën. Sipas informacioneve të deritanishme, në ujërat përreth aktualisht janë përhapur afro 23 tonelata gaz të kondensuar, të cilat shtrohen mbi një sipërfaqe prej gjashtë milesh nautike (afro 10 kilometra).

Ndryshe, flakadani i zjarrtë ndodhet në një lartësi prej 90 metrave, mbi vendin prej nga po rrjedhë gazi.

Drejtori për shëndetësi, siguri dhe ambient i kompanisë Total, David Hainsworth, deklaroi për BBC se, informacionet që deri më tani u janë dhënë mediave nga kjo kompania janë të gabuara. Hainsworth pranoi se flaka ende po zgjedhohet me intensitet të njëjtë, dhe se nuk është paraparë ndërmarrja e ndonjë hapi për fikjen e saj, sepse ajo “mund të fiket vetë, brenda një ore, 24 orësh ose dy ditësh”, por jo më gjatë se kaq.

Sipas Hainsworth, me rastin e evakuimit të personalit nuk kishte kohë për fikjen e zjarrit, sepse siguria e punëtorëve të kompanisë ishte një prioritet absolut. Po të kishte kohë, punëtorët do të kishin shqyrtuar edhe fikjen e zjarrit, shtoi ai më tej.

E, Jake Molloy, nga sindikata RMT, e cila përfaqëson punëtorët e platformave të naftës, pohon se flakadani mund të rezultojë me “një shkatërrim katastrofal”.

Nga ana tjetër, ministri britanik i Energjetikës, Charles Hendry, deklaron se nga kompania Total i është thënë se flaka ndodhet dukshpm mbi nivelin aktual të gazit. Qeveri e Britanisë së Madhe beson se Total do të dijë si të reagojë në këtë situatë, dhe se është e natyrshme që fillimisht është dashur të evakuohen punëtorët dhe të shpallet zona e ndaluar.

Kompania tjetër e naftës, Shell, tashmë ka larguar 120 punëtorët e saj nga platforma Shearwater dhe nga pajisja Hans Deul, të cilat ndodhen afro shtatë kilometra larg platformës Elgin.

Qeveria e Skocisë ka njoftuar se minutat e saj janë të informuar në vazhdimësi dhe detaje për zhvillimin e ngjarjes.

“Çfarëdo rrjedhje e gazit në det nga pajisja tashmë e evakuuar paraqet një arsye të madhe për brengosje”, theksoi ministri skocez për Mbrojtjen e Ambientit, Richard Lochhead.

“Është e një rëndësie vitale që Total dhe Qeveria e Britanisë të sigurojnë një transparencë maksimale, dhe që opinioni të ketë qasje të plotë në të gjitha informacionet. Kjo do të duhej të përfshinte jo vetëm detajet për nivelin e rrezikut, por edhe atë se në cilën mënyrë vlerësohet ky rrezik”, shtoi tutje Lochhead.

Qeveria e Skocisë është përgjegjëse edhe për ambientin detar.

“Pritjet janë që kondensimi i gazit të shpërndahet vetvetiu në natyrë, dhe gjykuar sipas asaj se si qëndrojnë gjërat aktualisht, rreziku për ambientin është minimal. Megjithatë, ne po e përcjellim situatën me mjaft shqetësim”, përfundoi Lochhead.

Kompania Total momentalisht po i shqyrton disa mundësi për ndaljen e rrjedhjes së gazit. Aplikimi i cilësdo prej tyre do të zgjaste deri në gjashtë muaj.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›