E Shtunë, 31 Tetor 2026

Republikë pa fusnotë

Parlamenti Europian ka miratuar një rezolutë me të cilën u bën thirrje pesë vendeve anëtare të BE’së që ta njohin pavarësinë. Ky institucion i BE’së ka refuzuar një amendament, ku është kërkuar që Kosova të përmendet me fusnotë. Eurodeputetët shpresojnë që atletët kosovarë të marrin pjesë në Lojërat Olimpike të Londrës. E po ashtu kanë kërkuar nga autoritetet kosovare luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Parlamenti Europian ka votuar një rezolutë të enjten me të cilën u bëhet thirrje pesë vendeve anëtare të BE’së, që ende nuk e kanë njohur pavarësinë, ta bëjnë këtë duke rikujtuar se 88 shtete tashmë kanë njohur Kosovën.

Rezoluta e miratuar me 375 vota pro, 97 kundër dhe 76 abstenime mirëpret fillimin e dialogut të vizave në janar, në mënyrë që të kundërshtohet, siç thuhet, izolimi në rritje i qytetarëve të Kosovës.

Po ashtu përmes rezolutës, autore e së cilës është raportuesja për Kosovën, Ulrike Lunacek, Parlamenti nënvizon pritjen që Komisioni Europian të prezantojë udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave në pranverë si dhe mbështetet plani për studimin e fizibiltetit deri në vjeshtë të vitit 2012, për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit të BE’së me Kosovën.

Parlamenti i Europës si i vetmi institucion i BE’së që ka njohur pavarësinë e Kosovës, ndërkaq ka hedhur poshtë një amendament me të cilin është kërkuar që tash e tutje t’i referohet Kosovës në bazë të marrëveshjes për përfaqësimin rajonal si Kosovo*.

Eurodeputetët po ashtu kanë bërë thirrje që Komiteti Olimpik Ndërkombëtar të bëjë të mundur që atletët kosovarë të marrin pjesë në Lojërat Olimpike, që do të mbahen në Londër.

E parlamentarët europianë kanë përmendur edhe sfidat për Kosovën, duke numëruar kthimin e refugjatëve dhe të personave të zhvendosur përbrenda, luftën kundër korrupsionit dhe përmirësimin e situatës së tensionuar dhe jostabile në veri.

Në një rezolutë tjetër të miratuar për Serbinë nënvizohet rëndësia e vazhdimit të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, derisa shprehet brenga për përplasjet mes ushtarëve të NATO’s dhe serbëve në veri të Kosovës gjatë vitit të kaluar.

Duke i bërë thirrje Serbisë që të organizojë zgjedhje të mirëfillta më 6 maj, autoriteteve në Serbi u kërkohet të mos organizojnë zgjedhje lokale në Kosovë, saktësisht në komunat veriore.

Parlamenti Europian ndërkaq ka inkurajuar Parlamentin e Kosovës që të shtojë rolin në proceset demokratike në Kosovë, duke theksuar nevojën për mbikëqyrjen e funksionimit të aktiviteteve të qeverisë, sidomos në çështjen e shpenzimeve buxhetore.

Në rezolutë është shtruar edhe çështja e korrupsionit, i cili është quajtur sistematik dhe që vazhdon të jetë një sfidë e madhe për vendin, sikurse edhe në pjesët tjera të Ballkanit Perëndimor.

Kjo, sipas rezolutës, e minon besimin e qytetarëve në sundimin e ligjit si dhe afekton qasjen e tyre në shërbime publike.

Po ashtu aty përmenden përmirësimet ligjore që janë në Kosovë në këtë fushë, por kërkohet zbatimi i shpejtë dhe proaktiv i tyre.

“Duhet siguruar transparencë në prokurimin publik dhe në procedurat e tenderimit; është e nevojshme një qasje më proaktive për një bashkëpunim më të mirë mes Agjencisë Antikorrupsion , policisë dhe prokurorisë; mungesa e sanksioneve adekuate për korrupsion paraqet një nga problemet kryesore në Kosovë dhe kërkohet nga autoritetet kosovare që të zhvillojnë një bazë të të dhënave rreth ndjekjes së rasteve antikorrupsion, përfshirë edhe nivelet e larta të pushtetit politik dhe ekonomik”, thuhet në rezolutë.

“Sundimi i ligjit në Kosovë vazhdon të jetë brengë serioze, që kërkon një vëmendje urgjente. Autoritetet inkurajohen që të ndërmarrin reforma të shpejta, që janë të nevojshme për të avancuar perspektivën europiane të Kosovës në mënyrë që përfundimisht të përfitojë popullata”.

Parlamenti Europian ndërkaq shprehet i shqetësuar për rolin që ka luajtur krimi i organizuar prezent në Kosovë në aktivitete të ndryshme në rajon, që përfshijnë drogën dhe trafikimin me qenie njerëzore.

“Kapaciteti i policisë dhe gjyqësorit për të luftuar krimin e organizuar mbetet në fazën fillestare të zhvillimit“, potencohet në rezolutë.

Aty u bëhet thirrje autoriteteve të Kosovës që të marrin masa të menjëhershme të përmirësojnë kapacitetet në këtë çështje.

Rezoluta nënvizon rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar, kur bëhet fjalë për luftën e krimit të organizuar në mënyrë efektive.

“Është për keqardhje mosvullneti i disa anëtarëve të bashkësisë ndërkombëtare për të mos njohur Kosovën si shtet, Kosova nuk ka mundur të vendosë bashkëpunim direkt me Europolin dhe Interpolin”, thuhet ndër të tjera në rezolutë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›