Sabri Godo: "Bamiri bëri mirë"

Republikanët po përgatiten që t’i përgjigjen letrës së presidentit Bamir Topi për sugjerimin e disa kritereve për përzgjedhjen e kandidatëve për Gjykatën e Lartë. Kryetari i Nderit në Asamblenë e Partisë Republikane, Sabri Godo deklaron se tashmë republikanët janë mbledhur dhe po diskutojnë se çfarë kriteresh mund t’i sugjerojnë presidentit Bamir Topi. Megjithatë, akoma nuk janë përcaktuar se cilat do të jenë kriteret që do të sugjerojë aleati kryesor i Partisë Demokratike. Republikani Godo shpjegon gjithashtu se vonesa e përcaktimit të kritereve nga ana e tyre, ka ardhur si pasojë e vizitës së deputetëve të PR-së në Parlamentin Europian. “Do të dërgojmë kriteret tona tek presidenti. Jemi duke diskutuar për kriteret që do të dërgojmë, sepse deputetët tanë kanë qenë në parlamentin europian dhe dhe vetëm dje e kanë marrë letrën. Jemi duke e shqyrtuar. Do ti përgjigjemi patjetër letrës së presidentit. “ thotë Godo për “Korrierin”. Duke folur për veprimin e presidentit që u ka kërkuar sugjerimin e kritereve partive politike, Godo thotë se vendimi i Bamir Topit ishte i drejtë. Sipas tij, partitë politike mund të shfaqin mendimet e tyre për kriteret por në fund është vetë presidenti ai që vendos. “Presidenti ka kërkuar vetë që ti bëhen sugjerime për kriteret. Mua më duket një vendim i drejtë i presidentit dhe që duhet të funksionojë. Partitë le të shfaqin mendimin e tyre pastaj, i takon atij të vendosë” thotë Godo. I pyetur në rast se kriteret e përcaktuara nga partitë politike mund të sjellin ndonjë vonesë në procesin e përzgjedhjes së kandidaturave, për shkak të shqyrtimit të imtësishëm që mund të vijë si pasojë e këtyre kritereve, republikani Godo thotë se tashmë e kaluara e gjyqtarëve është e njohur dhe e shkruar dhe ai nuk beson se “kjo hap ndonjë telash të madh”. Ndërkohë, letra e republikanëve, bashkë me kriteret e sugjeruara prej tyre, pritet që të bëhet deri me 30 qershor, kur është edhe afati i fundit i vendosur nga presidenti për sugjerimet e partive politike. Pas dërgimit të kritereve nga ana e partive politike, ekspertët e presidentit do të diskutojnë se cilat prej këtyre kritereve do të pranohen dhe cilat jo.