Gazmend Hoxha jep dorëheqjen nga posti i drejtorit të Policisë së Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar dorëheqjen e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, duke e liruar atë nga kjo detyrë.
Sipas njoftimit të Qeverisë së Kosovës, pas propozimit të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kryeministri Kurti ka caktuar Fehmi Hotin në pozitën e ushtruesit të detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës.
Në njoftim, Qeveria ka vlerësuar kontributin dhe angazhimin e Gazmend Hoxhës gjatë kohës sa ka udhëhequr Policinë e Kosovës. Ky zhvillim vjen pas vrasjes së Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor nga ish-kunati i saj. Arlinda Zekaj, vetëm tri ditë para se të vritej, i kishte dërguar një letër kryeprokurores së Pejës, Lumturije Vuçetaj, ku e kishte njoftuar se jeta e saj ishte në rrezik.
/rtsh.al/