Gazprom ndalon furnizimin me gaz të Letonisë: Ka shkelur kushtet e blerjes

Gjigandi rus energjetik Gazprom thotë se ka pezulluar furnizimet me gaz në Letoni, vendi i fundit i BE-së që ka përjetuar një veprim të tillë mes tensioneve mbi Ukrainën. Gazprom akuzoi Letoninë për shkelje të kushteve të blerjes, por nuk dha detaje për atë shkelje të supozuar. Letonia mbështetet në Rusinë fqinje për importet e gazit natyror, por qeveria e saj thotë se nuk pret që masa e Gazprom të ketë një ndikim të madh.
Në Letoni, gazi përbën vetëm 27% të konsumit të energjisë. Edijs Saicans, një zyrtar i lartë i ministrisë letoneze të tha se lëvizja e Gazprom nuk pritej të kishte një ndikim të madh.
Gazprom shkurtoi ndjeshëm dërgesat e gazit në Evropë përmes tubacionit Nord Stream të mërkurën në rreth 20% të kapacitetit të tij. BE-ja refuzon kërkesën e Rusisë që vendet anëtare të paguajnë për gazin e Gazpromit në rubla, jo në euro. BE thotë se nuk ka asnjë kusht kontraktual për pagesat me rubla. Të enjten, kompania letoneze e gazit Latvijas Gaze tha se po blinte gazin rus, por po paguante në euro.
Që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia në shkurt dhe shtrëngimi i sanksioneve perëndimore, Gazprom ka pezulluar dërgesat e gazit në Bullgari, Finlandë, Poloni, Danimarkë dhe Holandë për shkak të mospagesës në rubla. Rusia gjithashtu ka ndaluar shitjet e gazit për Shell Energy Europe në Gjermani.
BE-ja tani po përpiqet të rrisë importet e gazit nga gjetkë, duke përfshirë gazin natyror të lëngshëm (LNG) nga Norvegjia, Katari dhe SHBA./BBC
/rtsh.al/