Gazsjellësi TAP, avantazhet për Shqipërinë

Pas zbatimit të projektit rritet pesha gjeopolitike e Shqipërisë
Sfida e sigurimit të burimeve energjetike po bëhet gjithmonë e më e madhe për njerëzimin. Gazsjellësi TAP është një projekt madhor energjetik dhe kalimi i tij përmes vendit tonë ka rëndësi shumëdimensionale. Parë në këtë këndvështrim, TAP kontribuon në mënyrë direkte në rritjen e peshës gjeopolitike të vendit tonë, si dhe në stabilitetin e gjithë rajonit. Për më tepër, TAP do të përbëjë një burim të ri furnizimi me energji të vendit tonë tashmë të ekspozuar ndaj riskut të reshjeve apo thatësirës. Furnizimi me gaz i TEC-it të Vlorës apo edhe i TEC-eve të rinj do të kontribuojë në stabilitetin e sistemit tonë elektrik dhe do të krijojë kushte të favorshme për ndërtim të parqeve eolike. Ndonëse në mënyrë më graduale, futja e gazit natyror në përdorim në sektorin rezidencial do të kontribuojë në mënyrë të ndjeshme në uljen e dëmtimeve në pyje, si dhe në lehtësimin e rrjetit elektrik tashmë shumë të ngarkuar nga përdorimi i energjisë elektrike për ngrohje dhe gatim.
Linja e tubacioni do kenë një gjatësi 800 km, dhe do të sjellë gazin natyror të Kaspikut nga Azerbajxhani në Evropë, duke kaluar nëpër Shqipëri. Në fakt, një pjesë e konsiderueshme e tubacionit të TAP do të ndërtohet në vendin tonë, me një gjatësi rreth 204 km në tokë dhe 60 km në det në pjesën shqiptare të detit Adriatik. Gjatë ndërtimit do të ketë përfitime direkte në PBB dhe do të krijohen mijëra vende të reja pune. Disa prej seksioneve të tubacionit TAP do të ndërtohen në zona të largëta rurale, të cilat sot arrihen me vështirësi. TAP-i planifikon të investojë ndjeshëm në infrastrukturën rrugore, gjë që pa dyshim do të nxisë zhvillimin ekonomik në ato zona. Projekti ka një kosto të vlerësuar prej 3,7 miliardë eurosh, për pjesën e Shqipërisë, kurse punimet për ndërtimin e tij parashikohen të fillojnë në vitin 2014. Tubacioni është projektuar në mënyrë të atillë që kapaciteti i tij transportues të mund të zgjerohet nga 10 deri në 20 miliardë metër kub gaz në vit.