E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deklarata që zbuloi ç’i mban bardhaku Edvinit

15-11-2012 / Gazeta 55

Në fund të deklarimit të djeshëm publik, kreu i PS s’e ka mbajtur dot më dhe ka deklaruar prerë “kam bindjen më të thellë se statusi i kandidatit kalon nga zgjedhjet e lira të qershorit të ardhshëm”, duke konfirmuar vullnetin për të mos lejuar marrjen e statusit në dhjetorin e këtij viti

Në manualet e gazetarisë kur shpjegohet zhanri i analizës politike i një çështjeje të caktuar sugjerohet që paragrafi i fundit i shkrimit të përmbajë konkluzionet dhe qëndrimet përfundimtare të autorit.
Nëse përdorim të njëjtën metodë analize në fjalim e djeshëm të kreut të PS, Edi Rama, konstaton se paragrafi i fundit fillon me, “kam bindjen më të thellë se statusi i kandidatit dhe vetë Shqipëria europiane kalojnë nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme të qershorit të ardhshëm”.  Me një fjalë, konkluzioni i kreut të Partisë Socialiste është që statusi i vendit kandidat Shqipërisë për në Bashkimin Europian t’i jepet pas zgjedhjeve të qershorit të 2013 dhe jo në dhjetor.
Padyshim deklarata e djeshme e Edi Ramës zbuloi ç’i ka bardhaku opozitarit më të madhe të integrimit të Shqipërisë në tryezën europiane. Përgjigja refuzuese për të tretën herë të Statusit të vendit Kandidat nga ana e BE-së, është investimi personal i Edi Ramës, i cili e kamuflon më dëshirën e shtyrjes së marrjes së statusit përtej 2013, me çështjen e qarkut të Fierit. Bllokimi konstant i reformave integruese në Parlament për “meritë” të deputetëve të Partisë Socialiste kanë qenë i motivuar negativisht në gjithë “iterin” institucional të rrugës për afrimin me familjen europiane.
Bindja e Ramës, e stërthënë qindra herë, u kristalizua dhe në dëshirën e pashmangshme që marrja e Statusit të vendit Kandidat të mos jetë në vitin e 100 të krijimit të shtetit shqiptar, por sipas fjalëve të tij “kam bindjen më të thellë se statusi i kandidatit dhe vetë Shqipëria europiane kalojnë nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme të qershorit të ardhshëm”.
Kuptohet vetiu bindja e shefit të opozitës  mund të jetë e thellë, ndonëse është thellësisht e gabuar. Sepse bindje të tilla janë të argumentuara me një “hiç”.
Bindjet janë ato që përcaktojnë edhe qëndrimet dhe sjelljet tona. Ato na motivojnë për të vepruar secili sipas mënyrave të veta. Qëndrimet kushtëzuese dhe sjellja politike e Ramës kanë përcaktuar përparimin e vendit drejt Europës përderisa çeta është zbatuese e verbër e një synimi të përhershëm marrjen e pushtetit me çdo kusht, qoftë me dëmtimin e qeverisë nëpërmjet refuzimit të marrjes së statusit të vendit kandidat për të tretën herë. motivet anti-itegrim të Ramës janë të dobëta sepse bazohen në një llogari të gabuar, pasi nuk humb vetëm qeveria por të gjithë qytetarët shqiptarë, të cilët arrijnë të identifikojnë përgjegjësin e pengimit të rritjes së mirëqenies së tyre. 
PS-ja po luan me zjarrin kur refuzon të votojë ligjet për integrimin. Partia Socialiste duhet të bëjë detyrën e saj kushtetuese dhe në respekt të votës së elektoratit të vet duke bashkëpunuar një orë e më parë atje ku e ka vendin demokracia e vërtetë. Në parlamentet, duke votuar tre reformat integruese që japin dritën jeshile të marrjes së statusit të vendit kandidat. Në të kundërt, përgjegjësia për mos marrjes e statusit do të jetë një  barrë e rëndë për supet e imta të kreut aktual të opozitës.

 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›