Gazsjellësi TAP dhe IAP, Meta me homologun e Azerbajxhanit: Impakt në zhvillimin e Ballkanit Perëndimor

Presidenti Ilir Meta është pritur në një takim nga homologu i Azerbajxhanit Ilham Aliyev. Marrëdhëniet dypalëshe në fushën e ekonomisë, tregtisë dhe turizmit si dhe gazsjellësi TAP dhe projekti IAP, ishin në qendër të diskutimit të takimit Meta-Aliyev. Dy presidentët kanë vlerësuar nevojën jetike të fuqizimit të mëtejshëm të TAP dhe zbatimit të shpejtë të projektit IAP që sipas tyre do sjellë impakt të madh në zhvillimin e Ballkanit Perëndimor.
“Në kuadër të vizitës në Baku, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta u prit në një takim të veçantë nga Presidenti i Republikës së Azerbajxhanit, Sh.T.Z Ilham Aliyev. Presidenti Meta vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve, si dhe potencialin e jashtëzakonshëm që ekziston për forcimin e gjithanshëm të tyre në fushat me interes reciprok.
Presidenti Meta shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e dhënë nga Azerbajxhani, si dhe nga Presidenti Aliyev për ndërtimin dhe zbatimin e suksesshëm të gazsjellësit TAP. Presidenti Meta theksoi rëndësinë e jashtëzakonshme që merr gazsjellësi TAP për sigurinë energjitike të Europës, në kontekstin e zhvillimeve të fundit, si burim alternativ energjie. Në këtë kuadër, të dy Presidentët vlerësuan nevojën jetike të fuqizimit të mëtejshëm të TAP, si dhe të zbatimit të shpejtë të projektit IAP (Gazsjellësi Adriatiko-Jonian), që do të sillte një impakt më të madh për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor. Në bisedën e frytshme u nënvizua me shumë interes thellimi i bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, tregtisë dhe turizmit, si dhe rritja e mëtejshme e shkëmbimeve midis dy vendeve”, njofton Presidenca.
Kujtojmë se edhe kryetari i Partisë Demokratike i zgjedhur nga ‘Rithemelimi’, Sali Berisha udhëtoi më 16 qershor drejt Azerbajxhanit ku mori pjesë së bashku me Presidentin Meta në forumin e 9-të global që u mbajt në Baku të Azerbajxhanit. Kjo ishte shfaqja e parë e Metës dhe Berishës së bashku pas përplasjes që patën për presidentin e ri. Berisha i kërkoi kreut të shtetit që të mos e lironte nga detyra si shef i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Bajram Begajn, i votuar nga Kuvendi si Presidenti që do pasojë Metën, por ky i fundit e firmosi dekretin nga Stambolli ku ndodhej për një vizitë zyrtare.
/rtsh.al/