Reforma Zgjedhore, Alibeaj: Ftoj BE-në dhe SHBA-të të marrin pjesë! Gjiknuri: Do kërkojmë asistencën e OSBE

Komisioni i Posaçëm Parlamentar ka nisur punën për Reformën Zgjedhore. Mbledhja drejtohet nga Enkelejd Alibeaj dhe Damian Gjiknuri. Në fjalën e tij Enkelejd Alibeaj teksa ka kërkuar që procesi të jetë gjithëpërfshirës, ka ftuar të gjitha organizmat ndërkombëtare të marrin pjesë në ekspertizën e tyre në ndryshimet e Kodit Zgjedhor.
“Kam kërkuar që përveçe dërgimit të një kërkese zyrtare OSBE-së, do t’ia dërgojmë të njëjtën kërkesë edhe Këshillit të Europës, Komisionit të Venecias, përfaqëues të BE-së dhe SHBA-së që kanë të drejtën të sjellin përfaqëuesit e tyre dhe të marrin pjesë me ekspertizë. Edhe organizata vendase me traditë në ndjekjen e procedurave zgjedhore që kanë përvojë, janë të ftuar që të marrin pjesë në mbledhjet e komisionit të reformës zgjedhore”, u shpreh Alibeaj.
Sakaq ai ka kërkuar 6 nga 4 ekspertë për të akomoduar nevojat e ekspertizës teknike që ky komision do të duhet të trajtojë.
“Sa i takon përcaktimit të numrit të ekspertëve, tradita ka qenë me 4 ekspertë, dy nga njëra anë, dy nga ana tjetër. Unë kërkoj të bëhen 6 ekspertë për të akomoduar edhe nevojat e ekspertizës teknike të përfaqësuesve të pjesës sonë, por edhe në funksion të një analize teknike të të gjitha nevojave që ky komision do të duhet të trajtojë”, tha Alibeaj.
Sekretari i Përgjithshëm, Damian Gjiknuri u shpreh se për vendimin e Kuvendit do të kërkojë asistencë nga OSBE, ambasada amerikane si edhe nga përfaqësimi i BE. Ai theksoi se këto vendime duhet të jenë konsensuale.
“Vendimet në komision duhet të jenë konsensuale. Të dy bashkëkryetarët kanë të drejtën e vetos. Kemi disa rekomandime të reja. Pastaj palët mund të diskutojnë edhe për çështje të tjera që mund të ngrihen gjatë debatit. Jam i bindur se do të bëjmë maksimumin. Nuk dua të ndalem te përmbajtja e rekomandimeve. Do kërkojmë asistencën e OSBE siç ka qenë tradita. Në vendimin e Kuvendit ne do të kërkojmë mbështetje edhe nga organizma dhe partnerë të tjerë siç është ambasada amerikane, përfaqësimi i BE dhe unë bashkë me bashkëkryetarin do tu drejtohemi me një letër që të na ofrojnë asistencë.
Në bazë të traditës bashkë me kryetarin do të propozojmë edhe një numër ekspertësh. Të shmangim debatet e errëta politike. Kjo është një sallë që duhet të dalim me konkluzione”, tha Gjiknuri.
Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore përbëhet nga 18 anëtarë. Mazhoranca socialiste ka 9 anëtarë, PD-ja 6 anëtarë dhe anëtarët e tjerë janë Fatmir Mediu, Shpëtim Idrizi dhe Petrit Vasili. Mbledhja e parë do të sjellë konstituimin e këtij Komisioni, ku palët do të shprehin qëndrime e tyre.
/rtsh.al/