E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gazsjellësi TAP i jep zgjidhje përfundimtare problemit të energjisë në vend – së shpejti nisin punimet

03-09-2013 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha priti në takim delegacionin e nivelit të lartë të Konsorciumit të Gazsjellësit Trans Adriatik- TAP

Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim delegacionin e nivelit të lartë të Konsorciumit të Gazsjellësit Trans Adriatik- TAP kryesuar nga Menaxheri i Përgjithshëm Z. Kjetil Tungland dhe Drejtori për Marrëdhëniet me Jashtë Z. Michael Hoffmann, të cilët kanë ardhur në Tiranë në një takim kortezie me kryeministrin. Z. Tungland shprehu mirënjohjen e tij të thellë për mbështetjen dhe rolin shumë të rëndësishëm që Shqipëria dhe Kryeministri Berisha personalisht luajtën në projektin TAP, pa të cilat nuk do të ishte mundësuar vendimi përfundimtar pozitiv nga Konsorciumi i Shah Deniz-it për përzgjedhjen e TAP. Kjo mbështetje e siguruar, ishte veçanërisht domethënëse në vitet e fundit përmendi ai, ku Shqipëria u angazhua maksimalisht për përfundimin e të gjithë kuadrit ligjor e rregullator të nevojshëm për konsiderimin e aplikimit të projektit të TAP-it pranë Konsorciumit të Shah Deniz-it.
 Gjithashtu, ai e njohu Kryeministrin me ecurinë në vijim të projektit të TAP-it, lidhur me vendimin për fillimin e punimeve dhe vendimin përfundimtar të investimit nga konsorciumi i Shah Denizit. Së shpejti puna në Shqipëri do të fillojë për ndërtimin e rrugëve të aksesit në funksion të ndërtimit të gazsjellësit, përmendi ai. Zoti Tungland informoi kryeministrin se, konsorciumit të TAP i është bashkuar kompania belge më e madhe e shpërndarjes së gazit në atë vend, Fluxys, e cila me ndërtimin e gazsjellësit Belgjik - Itali e bën TAP një projekt për furnizim gazi pan-europian.
Kryeministri Berisha theksoi se, për Shqipërinë projekti TAP shënon arritjen më të rëndësishme strategjike pas anëtarësimit në NATO dhe pavarësisë së Kosovës. Të gjitha projektet e tjera me pa të drejtë anashkalonin Shqipërinë. Ky projekt i jep përgjigje përfundimtare problemit të energjisë në Shqipëri, ndikon në uljen e shpenzimeve familjare për ngrohje dhe gatim. Shqiptarët do furnizohen me gaz nga një vend mik siç është Azerbajxhani. TAP, inkurajon investime të mëdha në të gjithë sektorët e industrisë dhe ekonomisë. Projekti rrit ndjeshëm rolin e Shqipërisë në energjetikën rajonale dhe europiane, si dhe ngre në një nivel të ri bashkëpunimin strategjik me fqinjët tanë dhe vendet e BE-së.
 Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen e thellë ndaj z. Tungland dhe të gjithë ekipit që ai drejton, për punën e gjithanshme, të jashtëzakonshme, që bënë për  këtë projekt me rëndësi të madhe strategjike edhe, jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë Europën. Këmbëngulja e jonë dhe e juaja bazohej në besimin tonë të përbashkët tek ky projekt madhështor. Ekipi që ju drejtuat përgatiti me profesionalizëm të lartë një dokumentacion bindës për konsorciumin Shah deniz 2, që faktonte qartë se TAP ishte në distancë, projekti më i leverdishëm me serioz.
 Gjithashtu Kryeministri Berisha, në mbështetje të vendimit për TAP-in, theksoi rolin vendimtar të marrëveshjeve ndërqeveritare të arritura mes vendeve tranzit të projektit dhe ato të interesuara të Ballkanit perëndimor, sikurse pa diskutim edhe të largpamësisë së Presidentit Aliyev për përzgjedhjen e projektit të TAP-it.
Berisha në Facebook: Ndërtimi i TAP në Shqipëri fillon në mesin e 2014/Pas takimit të zhvilluar me Kjetl Tungland, Drejtor i Përgjithshëm i projektit TAP dhe Michael Hoffmann dhe Albert Haak, kryeministri Sali Berisha u shpreh përmes një statusi në Facebook, se ndërtimi i TAP në Shqipëri fillon në mesin e vitit 2014-ë. Sipas kreut të qeverisë, gjatë ndërtimit të tij dhe gazifikimit të vendit investohen mbi 1.5 miliard euro dhe punësohen mijëra dhe mijëra qytetarë. “Të dashur miq, sot prita në një takim zotin Kjetl Tungland, Drejtor i Përgjithshëm i projektit TAP me zotërinjtë Michael Hoffmann dhe Albert Haak. Në takim zoti Tungland vlerësoi rolin e Shqipërisë, pa të cilin TAP nuk do të përzgjidhej dhe më informoi se në mesin e vitit që vjen fillon në Shqipëri ndërtimi i TAP. Në këtë takim miqësor falenderova zotin Tungland dhe ekipin e tij për punën e shkëlqyer të tyre që bëri të mundur përzgjedhjen e TAP si projekti më i leverdisshëm. Unë shpreha mirënjohjen time dhe për bashkëpunimin tonë të ngushtë e të frytshëm 8 vjeçar në njërin prej projekteve më të mëdha të kohës të cilit ne bashkerisht i besuam dhe që fitoi mbi disa projekte të tjera të mëdha dhe me mbështetje të fuqishme politike, por që padrejtësisht anashkalonin Shqipërinë. Për Shqipërinë TAP, pas anëtarësimit në NATO dhe Pavarësisë së Kosovës, përbën arritjen më të madhe strategjike. Me këtë projekt Shqipëria zgjidh në mënyrë përfundimtare problemin e energjisë, merr gaz nga një vend mik, ul koston e gatimit dhe ngrohjes për qytetarët e saj si dhe fiton një pozicion të rëndësishëm strategjik në fushën e energjisë në rajon dhe në Europë. Gjatë ndërtimit të tij dhe gazifikimit të vendit investohen mbi 1.5 miliard euro dhe punësohen mijëra dhe mijëra qytetarë”- shkruan kryeministri Berisha.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›