E Diel, 1 Nëntor 2026

Nishani: Shqiptarët dhe britanikët përkrah njëri-tjetrit në mbrojtje të vlerave të përbashkëta

03-09-2013 / Gazeta 55

Dita e Vizitorëve të Shquar në stërvitjen e përbashkët shqiptaro-britanike “Luani Shqiptar 2013”

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani mori pjesë në Ditën e Vizitorëve të Shquar të Stërvitjes duke ndjekur nga afër stërvitjen e përbashkët shqiptaro-britanike “Luani Shqiptar 2013” në det të hapur në Adriatik. Gjatë kësaj vizite, Komandanti i Task Grupit të Stërvitjes Commodore McAlpine u prezantoi të pranishmëve programin e stërvitjes dhe aftësitë luftarake të komandës britanike që përmbledh operacionet e Evakuimit jo-Luftarak, veprime të përbashkëta me Forcat e Armatosura shqiptare në ushtrime të sulmit detar, operacione kërkim – shpëtimi, stërvitje e qitje luftarake me armë të lehta. Presidenti ndoqi nga afër edhe një demonstrim të veprimeve amfibe në kuadër të kësaj stërvitje. Presidenti Nishani në përshëndetjen e tij drejtuar komandove pjesëmarrës në stërvitjen “Luani Shqiptar 2013”, dhe gjithë të pranishmëve, përgëzoi fillimisht organizatorët dhe pjesëmarrësit në stërvitje për suksesin e saj. Ai u shpreh se veprimet e përbashkëta “farkëtojnë standarde më të larta profesionale, aq të dëshiruara për ushtarakët tanë, sidomos sot që jemi pjesë e pandarë e Aleancës së NATO-s.” Duke iu adresuar situatës së trazuar në rajonin e Mesdheut Lindor, Lindjes së Mesme, e më gjerë, nga kriza Siriane, Ai theksoi se këto “janë sfida e radhës që duhet të përballojmë së bashku. Megjithëse jetojmë në një kohë të turbullt, ne kemi ide të qarta dhe vullnet të përbashkët”. “Jemi bashkë, përkrah njëri-tjetrit në mbrojtje të vlerave tona të përbashkëta.” – nënvizoi Kreu i Shtetit. Në kuadër të kësaj vizite, Presidenti Nishani u takua edhe me personelin ushtarak shqiptar, që ndodhej në bordin e anijes “HMS Illustrious” si pjesë e stërvitjes së përbashkët. Në kuadër të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes ndërmjet vendit tonë dhe Britanisë së Madhe, në periudhën 11 gusht - 13 shtator 2013, do të zhvillohet stërvitja e përbashkët “Albanian Lion 2013”.  Nga ana e tij, Ministri i Mbrojtjes Arben Imami, bëri një bilanc të ecurisë dhe përpjekjeve për të forcuar dhe rritur kapacitetet e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të cilat sot kanë një pamje tjetër krahasuar me pak vite më parë. Ai tha se, kjo stërvitje do t’i shërbejë bashkëpunimit mes dy vendeve, por edhe konsolidimit të vlerave dhe veprimeve të përbashkëta në të ardhmen. Gjeneral Dejvis, drejtues i stërvitjes “Albanian Lion 2013”, u shpreh mes të tjerash se, kjo stërvitje do të shërbejë për forcimin e mëtejshëm të paqes, të një sigurie më efektive për qytetarët, për paqen në rajon dhe më gjerë. “Kjo stërvitje është një investim i kushtueshëm jo në pikëpamjen financiare, por në drejtim të sigurisë”, u shpreh, ai duke shtuar se përmes saj, instalohet një partneritet efektiv, që na ndihmon të njohim dhe besojmë njeri tjetrin dhe për të kuptuar më mirë kuadrin institucional të bashkëpunimit.  Në këtë stërvitje shumë skenarësh do të marrin pjesë rreth 3 000 trupa britanike, kryesisht komando dhe forca detare, si dhe një efektiv prej 35 vetësh nga Forcat e Armatosura holandeze, të cilat operojnë së bashku me trupat britanike.  Stërvitja e përbashkët “Albanian Lion 2013” do të përfshijë në vetvete tre stërvitje më të vogla, secila me një skenar të caktuar. Gjatë periudhës një mujore të qëndrimit në vendin tonë, trupat britanike do të realizojnë veprime ushtarake në det dhe në tokë në operacione të evakuimit, zbarkimit detar, qitje, etj. Teatri i stërvitjes së përbashkët shqiptaro-britanike “Albanian Lion 2013” ka një shtrirje të gjerë gjeografike, duke filluar prej rajonit stërvitor të Bizës, në Pashaliman, Kuçovë, Karaburun dhe Sazan. Forcat e Armatosura do të angazhohen në stërvitje me trupa dhe mjete të Forcës Detare, si dhe trupa të Forcës Tokësore, në realizimin e skenarëve të përbashkët. Me qëllim pasqyrimin e kësaj stërvitje të madhe, Ambasada e Britanisë së Madhe në vendin tonë, Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i FA do të njoftojnë në vijimësi rreth mundësive të ndjekjes së stërvitjes nga ana e medias kombëtare dhe lokale, ndërsa është rënë dakord paraprakisht zhvillimi i Ditës së Vizitorëve të Shquar (DVD) të stërvitjes, në datën 02 shtator 2013 në rajonin e gjirit të Vlorës, me pjesëmarrjen e personaliteteve më të larta të Ambasadës britanike, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, si dhe të pushtetit lokal.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›