Geci: Rikthehemi në LDK

Pas largimit nga LDD, ish deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe ish anëtari i LDD-së, Gani Geci, ka thënë se ekziston mundësia e kthimit në shtëpinë e vjetër LDK,nëse shprehet gadishmëria nga kryesia e LDK-së dhe kryetari Isa Mustafa.
“Oferta jonë për kthimin në LDK, nuk ka të bëjë me kushte, sepse nuk kërkojmë kushte, por ne do të ofrojmë mbështetjen dhe fuqinë tonë politike. Ne kemi një numër mjaft të madh të elektoratit, dhe qëllimi ynë është ta forcojmë dhe ta unifikojmë LDK-në. LDK-ja, por edhe kryetari Isa Mustafa e di këtë, prandaj ne jemi të orientuar që sërish të kthejmë forcën dhe autoritetin qe dikur e kishte LDK-ja”, ka thënë Geci në një intervistë për Standardin.
Duke komentuar vendimin e Dacit për të nënshkruar koalicion parazgjedhor me AAK-në, Geci ka thënë se ky koalicion ishte i panevojshëm për shkak të koncepteve të ndryshme politike. Vendimin e Dacit, ai e ka quajtur qëndrim arbitrar.
“Qëndrimi i Dacit ka qenë, pothuajse arbitrar, sepse LDD ishte në bisedime për koalicion me LDK-në, por, jo edhe me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Ne kemi respekt për Ramush Haradinajn, por konceptet tona politike janë të ndryshme nga ato të AAK-së dhe PDK-së”, ka shtuar Geci./Indeksonline/