Thaçi i gatshëm të pranojë ftesë të re

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka deklaruar se dialogu mbetet opsioni i vetëm i arsyeshëm për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës e Beogradit dhe ka shfaqur gatishmërinë për të pranuar ftesën për takim të përbashkët në Bruksel që do të organizohej ditëve në vijim nga baronesha Catherine Ashton.
"Dështimi i dialogut nuk duhet të jetë opsion as i Kosovës dhe as i Serbisë. Për këtë arsye mbetem i vendosur dhe i gatshëm të pranoj çdo ftesë të re për takim të përbashkët në Bruksel që do të caktohej ditëve në vijim nga Ashton”, ka thënë Thaçi për gazetën "Blic".
Ai pohon se Kosova tashmë ka bërë shumë kompromise dhe ka mbetur konstruktive në përpjekjet për t’u arritur marrëveshje kreative në përpjekjet e saj për arritje të marrëveshjes".
Duke vlerësuar se dialogu është i vetmi opsion i arsyeshëm, Thaçi thotë se të dy palët janë pajtuar se marrëveshja është e domosdoshme për të hapur kapitull të ri paqeje, tolerance e bashkëpunimi ndërmjet dy shteteve./Indeksonline/