Kurti: Serbia shpreson te Thaçi

Lëvizja Vetëvendosje konsideron se mospranimi i marrëveshjes nga Serbia është lajm i mirë për Kosovën.
Vetëvendosje ju bënë thirrje subjekteve politike dhe gjithë shoqërisë që ta kundërshtojnë çfarëdo dialogu të mëtutjeshëm.
“Serbia nuk e pranoi marrëveshjen jo për shkak se ajo nuk ishte e favorshme për të, por për shkak se nuk ishte e mjaftueshme për apetitet e saj. Arsyeja tjetër pse Serbia e refuzoi këtë marrëveshje është për shkak se ajo shpreson edhe më tej te Thaçi, prandaj edhe kërkoi dialog shtesë. Kërkesa e Serbisë për dialog shtesë është shpresë për koncesione shtesë nga Kosova. Serbia e di që Thaçi është i dobët, posaçërisht karshi faktorëve ndërkombëtarë, andaj dëshiron që të zgjatet kjo lojë me fatin e Kosovës.”, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes.
Megjithëkëtë, VV vlerëson se edhe pa marrëveshje me Serbinë po zbatohen koncesionet e saj.
“Deri në fund të muajit prill do të përgatiten termat e referencës për angazhimin e donatorëve në veri. Termat e referencës do të përcaktojnë strukturat, përgjegjësitë dhe procedurat për investimet në Mitrovicën veriore.” Kjo do të thotë që edhe pa marrëveshje me Serbinë po zbatohen koncesionet ndaj saj. Kjo ‘qasje e integruar për veriun’ nuk e integron veriun. Përkundrazi, ajo do ta ndajë Kosovën në veriun gjithnjë e më të zhvilluar dhe jugun gjithnjë e më të varfër, në frymën e Fondit zhvillimor për veriun, këtij buxheti paralele në Kosovë”, thuhet më tej në komunikatë.
Sipas VV, dialogu pa kushte për Serbinë dhe për çështje të brendshme të Kosovës ka qenë gjithmonë i padrejtë ndaj Kosovës dhe zgjatja e tij vetëm sa e shton dëmin që e përjetojmë.
Vetëvendosje edhe më tej vazhdon të kundërshtoj këtë dialog, pasi që sipas tyre dialogu po e pezullon shtetndërtimin e Kosovës.
“Ne duhet të angazhohemi dhe do të angazhohemi kundër këtij dialogu dhe marrëveshjeve me Serbinë, brenda e jashtë Kuvendit, duke mos shpresuar që apetitet e Nikoliqit, Daçiqit e Vuçiqit do të jenë më të mëdha sesa poshtërsia e Thaçit”, thuhet më tej në komunikatë./Indeksonline/