Gega i druhet mungesave ndaj Hungarisë
Përfaqësuesja U-21 e drejtuar nga Skënder Gega ka vijuar përgatitjet për ndeshjen e parë eliminatore të Europianit 2015 ndaj Hungarisë, e cila do të zhvillohet më 7 qershor në Niko Dovana në Durrës. Pas miqësores me ekipin kombëtar A, Gega zhvilloi një tjetër ndeshje kontrolli brenda grupit, për të krijuar një ide më të qartë për formën dhe potencialin që ka çdo individ.
Tekniku 49-vjecar u shpreh i kënaqur me impenjimin e futbollistëve të tij, por theksoi se duhet ende shumë punë, për të krijuar një grup sa më solid. Largimi i disa sulmuesve kryesorë që i janë bashkuar kombëtares së De Biazit ka lënë një hendek të madh, sidomos në fazën sulmuese.
Shumë nga lojtarët e Shpresës grumbullohen për herë të parë në ekip, por sipas Gegës atyre nuk u mungon entuziazmi dhe dëshira për të dhënë më të mirën me bluzën kuqezi. Pas sfidës me Hungarinë, kuqezinjtë do të përballen më 11 qershor në transfertë me Bosnjë Hercegovinën.