E Diel, 1 Nëntor 2026

Norvegjia nis përgatitjet anti-Shqipëri

imagesNdryshe nga kuqezinjtë, nordikët i kanë nisur përgatitjet ditën e djeshme. Norvegjia po të vijë në Tiranë në mbrëmjen e 5 qershorit

Kombëtarja norvegjeze ka zbuluar detajet e përgatitjeve para ndeshjes së rëndësishme me kuqezinjtë më 7 qershor. Federata norvegjeze e futbollit ka publikuar programin stërvitor që do të ndjekin nordikët gjatë javës për ndeshjen e 7 Qershorit me Shqipërinë në Qemal Stafa.

Ndryshe nga kuqezinjtë që i kanë nisur prej disa ditësh përgatitjet pasi pjesa më e madhe e tyre e kanë mbyllur sezonin, norvegjezët të cilët janë në mes të kampionatit do të grumbullohen këtë të hënë në Oslo.

Në orën 15:00 do të zhvillojnë seancën e parë stërvitore, ndërsa në 17:30, trajneri Egil Olsen i shoqëruar nga një ose dy futbollistë do të japin konferencën e parë për shtyp. Të martën pasdite dhe të mërkurën në mesditë norvegjezët do të vijojnë stërvitjen në stadiumin Ulleval të Oslos, për të mbërritur në Tiranë me charter në mbrëmjen e 5 qershorit.

Të enjten përgatitjet e norvegjezëve do të vijojnë në Qemal Stafa në orën 18:00, ndërsa pak para se të nisë seanca e fundit stërvitore, trajneri Olsen do të japë konferencën e zakonshme për shtyp në vigjilje të sfidës me kuqezinjtë. Dyert e Qemal Stafës do të jenë të hapura për mediat vetëm gjatë 15 minutave të para të seancës së fundit.

Takimi i shumëpritur Shqipëri – Norvegji do të nisë të premten në orën 20:30, ndërsa të shtunën në orën 11:30 në ambientet e Sheraton është parashikuar një tjetër konferencë për shtyp, para se delegacioni norvegjez të niset drejt Rinasit për tu kthyer në Oslo. Në grumbullimin e Olsenit bien në sy dy shqiptarët e Kosovës, Ardian Gashi (Helsingborg) dhe Valon Berisha (Red Bull Salzburg).

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›