E Shtunë, 31 Tetor 2026

Geh weg, zoti ambasador

Ambasadori i OSBE-së, Eugen Wollfarth, ka bërë dje raportimin e tij në Vienë, në Këshillin e Përhershëm të organizatës, që ai vetë përfaqëson në Tiranë. Ishte një raport i dobët, tek-tuk i pasaktë, me nënvizime jo fort të qëlluara, dhe jo objektiv. Ai ish kapur pas një leitmotivi, atij të nevojës për dialog, dhe  përsëriste apelin e vet për dialog si një deus ex machina. Kaq. Deri këtu kish arritur inteligjenca e këtij njeriu, që nuk ka mundur në asnjë rast gjatë mandatit të tij të demonstrojë se është inteligjent.

Nëse ndokush don të hetojë shpërndarjen e përgjegjësive në raportin e ambasadorit lidhur me gjendjen politike në Shqipëri, do të gjejë të penalizuar mbi të gjitha opozitën, e cila nuk arriti të luante rolin e vet dhe nuk kontribuoi për të kryer reformat. Ky është një vëzhgim i drejtë, por puna është se Wollfarthi veç këtë gjë nuk harron të theksojë. Të tjerat i harron kollaj-kollaj. Fjala vjen, nuk arrin të thotë karakteristikën dalluese të Shqipërisë së viteve të fundit (që mund të quhet edhe Shqipëria e Wollfarthit), atë të kontrollit të institucioneve prej pushtetit egzekutiv, apo e sulmit brutal kryeministror ndaj atyre institucioneve që sjanë nën kontrollin e tij, nuk arrin të thotë se parlamenti, edhe në ato raste kur ka qenë opozita aty, është drejtuar nga Topalli me logjikë thellësisht partizane, nuk arrin të thotë se Televizioni Publik Shqiptar është një megafon i maxhorancës (dhe i Wollfarthit, në fakt; edhe ky i fundit e nxjerr surratin herë pas here në atë televizion), nuk arrin të thotë që media private është në duar biznesmenësh të lidhur ngushtë me qeverinë, apo të frikësuar prej qeverisë, etj, etj.

Thotë si nëpër të e shkarazi, se korrupsioni nuk po luftohet sa duhet, se qeveria bën një shpërndarje me hatër të fondeve për promovimin e aktiviteteve të saj në televizione e media, dhe se u vranë katër vetë më 21 janar, por çështja është nën hetim. Kaq thotë ambasadori Wollfarth.

Danke schön herr!, do duhet ti thonë këtij bandilli të gjithë njerëzit e pushtetit! Geh weg, i themi ne të tjerët.

Respublica.al

http://respublica.al/artikuj/2011/9/8/wollfarthi-dhe-raporti-i-mbushur-me-gjepura

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›