Luan Hoxha sërish në rolin e frikacakut: Nuk e kam përmendur Shkëlzen Berishën
Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha, ka reaguar me anë të një deklarate për media në lidhje me kabllogramin e ambasadës amerikane të publikuar nga Wikileaks.
Në të, ish-ambasadori amerikan, Xhon Uidhers, thotë se Luan Hoxha i kishte pohuar se është kërcënuar nga ana e djalit të kryeministrit, Shkëlzen Berisha.
Por, Hoxha e mohon këtë fakt në reagimin e tij.
Duke konfirmuar këtë takim si konfidencial e kortezie që unë në cilësinë e ish Shefit të Shtabit kam pasur me ish ambasadorin John Uidhers, dëshiroj të sqaroj se: Gjatë këtij takimi nga ana ime nuk është përmendur emri i z. Shkëlzen Berisha, as në lidhje me ngjarjen e Gërdecit dhe as për çështje të tjera pune që u trajtuan miqësisht e konfidencialisht, thotë Hoxha në reagimin e tij.
Ai sqaron më tej se ka dëshmuar në lidhje me shpërthimin e Gërdecit me vullnetin e tij të lirë para institucioneve përkatëse dhe kjo sipas tij është dëshmia e tij e vetme për këtë ngjarje.
Shpjegimin tim mbi përgjegjësitë, procedurat, dhe rrethanat e fatkeqësisë teknologjike të Gërdecit, unë i kam dhënë me vullnetin tim të lirë në Ministrinë e Mbrojtjes, në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, në Prokurori, dhe në Gjykatë, duke u bazuar në të vërtetën dhe ligjin. Përtej çdo spekullimi, kjo ngelet dëshmia ime e plotë dhe e vetme mbi këtë ngjarje, tha Hoxha më tej.
Tashmë lind pyetja, kush gënjen, Luan Hoxha apo Xhon Uidhers? Vështirë se ka njeri në fakt, që do të besonte se Uidhers do të gënjente vendin e tij, kur nuk kishte asnjë arsye për ta bërë këtë gjë, pasi ai thjesht raportonte zhvillimet në Shqipëri.
Arsyet e përgënjeshtrimit të vonuar të Luan Hoxhës për kërcënimet e Shkëlzen Hoxhës nuk është e vështirë të kuptohen.