E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arvizu: Ndiqni eksperiencën e SHBA-ve, të gjithë të barabartë përpara ligjit

08/09/2011  Ambasadori amerikan dhe kryeministri Berisha në konferencën kundër korrupsionit

Fenomeni i korrupsionit dhe niveli përfaqësues i tij në fusha të ndryshme ishte tema e referencës së mbajtur dje nga ambasadori i SHBA-së Aleksandër Arvizu dhe kryeministri Sali Berisha në konferencën rajonale të luftës ndaj korrupsionit. Kështu, të pranishëm në punimet e konferencës “Kundër korrupsionit – sektori i mbrojtjes dhe i sigurisë”, organizuar nga Qendra Evropiane “George C. Marshall” për Studime në Fushën e Mbrojtjes, ambasadori amerikan dhe kreu i ekzekutivit shqiptar dhanë qëndrimet e tyre mbi një fenomen të tillë. Por ndërkohë shefi i diplomacisë amerikane të akredituar në Tiranën zyrtare shkoi më tej në masat që duhet të merren për të realizuar një luftë të suksesshme ndaj korrupsionit. “Edhe ne kemi pasur probleme me korrupsionin. Nuk jemi imun ndaj tij, por Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë diçka ndryshe nga këtu. Amerika është një vend që ka njerëz dhe ligje. Nëse dikush nuk i zbaton ligjet, ai kapet, arrestohet dhe burgoset. Kjo duhet bërë edhe në Shqipëri. Të krijohet një sistem që askush të mos jetë mbi ligjin”, - vuri në dukje ambasadori Arvizu gjatë ligjëratës së tij. Gjithashtu, ndalur te korrupsioni në siguri dhe mbrojtje, diplomati amerikan kërkoi që të ndiqen standarde të qarta në prokurime, sidomos kur bëhet fjalë për municionet e rënda. Sipas tij, është e rëndësishme të trajtohet korrupsioni në fushën e sigurisë, pasi mund të ketë pasojë vdekjeprurëse për shqiptarët. Por fokusuar po te një çështje e tillë, kryeministri Berisha preferoi të veçonte problematikat në luftën kundër një fenomeni të tillë. “Më e keqja në luftën kundër korrupsionit është politizimi i saj. Korrupsioni është një kancer social dhe ai mund të luftohet vetëm në mënyrë permanente”, - vlerësoi Berisha sa i takon kësaj çështje. Në gjykimin e tij nuk ka reformë që mund të ketë sukses pa luftën kundër korrupsionit. “Ka një ilaç që i bën reformat letra të vdekura në të gjitha fushat, dhe ky është korrupsioni, në çdo lloj fushe, si në arsim, në mbrojtje, në siguri. Ka një duel të qëndrueshëm midis këtij fenomeni dhe shtetit ligjor, nuk ka mënyrë tjetër më të mirë për ta luftuar atë sesa të respektosh shtetin ligjor”, - u shpreh kryeministri Berisha. Ndërkohë kryeministri shqiptar u ndal dhe në një aspekt tjetër të luftës kundër këtij fenomeni. “E quaj thelbësore çdo reformë që sjell transparencë. Në këtë aspekt, antidoti më i mirë për korrupsionin është transparenca, dhe ajo nuk do të thotë të kesh burime të shumta. ‘Transparencë’ do të thotë të kesh vullnet për t’u bërë transparent”, - vuri në dukje kreu i ekzekutivit gjatë fjalës së tij në konferencë.

Deputeti i PS-së sqaroi publikisht arsyet e dorëheqjes nga kryetar partie

Bare: S’mbrojtëm votën

“Duhej shumë më tepër për minimizimin e manipulimit të zgjedhjeve në Tiranë”

Deputeti i Partisë Socialiste Besnik Bare sqaroi dje publikisht arsyet e dorëheqjes së tij nga posti i kryetarit të kësaj partie për Tiranën. “Ndiej përgjegjësinë morale se ndoshta mund të kisha bërë shumë më tepër për minimizimin e manipulimit të zgjedhjeve në Tiranë dhe këtë përgjegjësi morale unë e reflektoj nëpërmjet dorëheqjes sime, duke u hapur hapësira kolegëve të tjerë, të cilët me siguri do të sjellin diçka të re”, - vuri në dukje deputeti Baraj lidhur me dorëheqjen nga ky post. Duke qëndruar po në këtë linjë, Baraj i mëshoi me forcë faktit se “si unë, ashtu dhe PS-ja e Tiranës mund të ishim më aktivë në evidentimin dhe në denoncimin e gjithë atyre manipulimeve”. Nga ana tjetër Bare përjashtoi nga çdo përgjegjësi kryetarin Rama për humbjen e postit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Madje, në vlerësimin e tij zgjedhjet u manipuluan në vitin 2009 dhe ashtu dhe në 2011. “Rama nuk i ka humbur zgjedhjet më 2009-n. Ka pasur një manipulim të ngjashëm me këtë që u evidentua tani në Tiranë. Rama ka qenë fitues dhe ai që duhej të jepte dorëheqjen është Sali Berisha, sepse PS-ja fitoi mbi PD-në mbi 10 mijë vota në nivel kombëtar. Rama është fitues më 2009-n, është fitues në Tiranë”, - u shpreh Baraj gjatë prononcimit të tij për shtyp.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›