Gëjnën “vuan”: “Nuk kam info për Flamurtarin”
Pas përfundimit të turit të parë kualifikues inaugural të Ligës së Europës, Flamurtari, fitues i Kupës së Shqipërisë, do të presë në raundin e dytë, skocezët e Modhëruellit, që nga ana e tyre eliminuan Lanelin (humbën 0-1 në shtëpi, fituan 3-0 në transfertë). Kalimi në turin e dytë kualifikues të një kompeticioni evropian ishte një arritje historike për klubin skocez të drejtuar nga Xhim Gëjnën (ndeshja e tij e dytë si trajner i kësaj skuadre), por nga ana tjetër Modhëruell u bë skuadra e parë skoceze pas 50 vjetësh, që kualifikohet pasi ka humbur ndeshjen e parë në shtëpi. Më 16 korrik, Flamurtari, i rikthyer pas disa vitesh mungesë në Europë, do të presë në shtëpi Mothëruellin, përpara se dy skuadrat të përplasen në Skoci një javë më pas (23 korrik). Trajneri i Modhëruellit pranoi se ekipi i tij pati një rritje të dukshme në krahasim më takimin e parë të humbur me Lanelin (0-1), ndërkohë që teknikun skocez e shqetëson fakti se do të luajë kundër një skuadre shqiptare tërësisht të panjohur. “Kundër Lanelit ne treguam krenarinë profesionale dhe pasionin për Modhëruellin. Ne kishim nevojë për më shumë hapësirë dhe të tregonim më shumë kurajo, - citohet Gëjnën nga gazeta “Daily Mail”, - por, gjyqtari serb (Milorad Maziç) na dëmtoi jo pak, pasi në disa raste haroi detyrën e tij. Unë nuk di shumë rreth Flamurtarit, por tani e gjithë vëmendja jonë do të drejtohet atje. Mungesa e informacionit mund të shndërrohet në një problem real”. Modhëruell luajti ndeshjen e kthimit kundër Lanelit në transfertë me një sulmues të vetëm, Satën (4-2-3-1). Mediat britanike, e në veçanti ato skoceze, po informojnë vazhdimisht mbi Flamurtarin, duke cilësuar faktin, se fituesja e Kupës së Shqipërisë, u rendit në vendin e gjashtë në kampionatin maksimal shqiptar. “Me ndeshjen e parë jashtë shtëpisë, -shkruan “The Herald”, - ajo e kthimit bëhet edhe më e vështirë për ‘mbretërinë’ e Gejnën”. Faqja e afërt me klubin e Mothëruellit, motherëell-mad.co.uk, shkruan: “Mothëruell ‘lundroi’ në raundin e ardhshëm të Ligës së Europës me një fitore të qetë 3-0 kundër Lanelit. Tani ne do të përballemi me Flamurtarin e Shqipërisë, me ndeshjen e parë jashtë shtëpisë javën e ardhshme, dhe ndoshta ne do të shkojmë më tej nëse do t’ia dalim atje”. Klubi skocez paralajmëron tifozët: “Mos udhëtoni në Shqipëri, ka probleme”. Lajmi u publikua përveç të tjerash edhe nga agjencia britanike “BBC”, përpos alarmit në faqen zyrtare të klubit skocez.
Berisha pranë firmës me Arminian
Besart Berisha ka shumë mundësi të nënshkruajë për Arminia Bilefeld, skuadrën e njohur gjermane, që sezonin e ardhshëm do të luajë në Bundesliga 2. Klubi anglez i Bërnlit, që zotëron edhe kartonin e sulmuesit kosovar, e ka nxjerrë në shitje, pasi më parë e kishte huazuar te Rozenborgu në Norvegji dhe të AC Horsens në Danimarkë. 23-vjeçari Berisha, i cili më parë ka luajtur edhe me Hamburgun në Bundesligën 1 gjermane (madje ka shënuar edhe një gol në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve), është duke kryer stërvitje me Arminian, një skuadër ku më parë kanë luajtur edhe Fatmir Vata, Ervin Skela e Klodian Duro.
Bari në sulm për Erjon Bogdanin
Bari duket se ka në projektin e tij më të afërt blerjen e Erjon Bogdanit, një sulmuesi të regjur në Serinë A. Edhe pse filloi grumbullimin me Kievon pak ditë më parë dhe deklaroi se kërkon të qëndrojë me skuadrën veroneze edhe për të paktën një sezon, bomberi shqiptar Erjon Bogdani nuk mbetet jashtë thashethemeve të mediave italiane për merkaton e verës. Skuadra që po interesohet shumë për Bogun është Bari që sezonin e ri do të luajë në Serinë A. Skuadra puljeze pasi nuk arriti një marrëveshje me sulmuesin e Leçes Kastijon, duket se po vlerëson mundësinë për të afruar në Bari sulmuesin e kombëtares sonë.
11 Korrik 2009